Në vitin 2009 Kosova dhe Shqipëria patën filluar të punojnë në një projekt që do të shkonte në UNESCO, por dosja nuk shkoi deri në fund për mospërkrahje nga Qeveria e Kosovës. Për pasojë, Serbia me një punë prej 18 muajsh arriti që projektin ku paraqitet kënga epike me lahutë ta përvetësojë dhe regjistrojë në UNESCO si trashëgimi serbe, e për këtë iniciativë ambasadorët e Kosovës dhe Shqipërisë nuk paralajmëruan fare. Këto dhe të tjera komente në një rrëfim ekskluziv për Gazetën Alo, i ka bërë Zymer Neziri, studiues, mbledhës dhe hartues i projekteve për eposin shqiptar ku ndër to hyn edhe “Eposi i Kreshnikëve”, njëherësh Neziri është edhe anëtar në Institutin Albanologjik të Kosovës.
Së fundmi, Serbia ka arritur që këngët me lahutët’i regjistrojë në UNESCO, si trashëgimi serbe, por jo edhe lahutën siç është interpretuar gabimisht apo me qëllim në mediat shqip.
Neziri ka thënë se Serbia ka të drejtë në lahutë sepse ajo është përdorur edhe në vende të tjera, por nuk mund të quhet si instrument epik serb.
“Serbia ka të drejtë në lahutë sepse është përdorur edhe atje sikurse edhe në vendet tjera, si në Mal të Zi, në Kumanovë të Maqedonisë, Bosnje e Hercegovinë por nuk mund të quhet si instrument i tyre epikë. Lahuta nuk është vetëm e jona”,ka thënë Neziri, shkruan Gazeta Alo.
Neziri gjithashtu deklaroi se një projekt për mbrojtjen e eposit shqiptar patë filluar të punohej mes Kosovës dhe Shqipërisë në Tiranë në vitin 2009 që do të shkonte në UNESCO, por që Qeveria e Kosovës aso kohe nuk na mbështeti me financim.
“Në vitin 2009, në Tiranë u pranua të punohej për një projekt që do të shkonte në UNESCO, por dosja nuk shkoi deri ne fund për shkak të mospërkrahjes financiare nga Qeveria e Kosovës”, ka deklaruar Neziri.
Ai më tutje ka shtuar se për ta shtyrë nëUNESCO këngën epike serbe me lahutë, Serbia ka punuar për 18 muaj dhe për këtë çështje nuk paralajmëruan fare ambasadorët e Kosovës dhe Shqipërisë.
“Shteti serb bëri punë 18 muaj për projektin në UNESCO ku paraqitet kënga epike me lahutë dhe ambasadorët tonë atje nuk dhanë asnjëherë sinjal për punën që ata po bënin gjatë kësaj periudhe”, ka shtuar Neziri.
Neziri më tutje ka shtuar se përfaqësimin mund t’ia japim edhe Tiranës sepse nuk kemi mjetet e duhura dhe e kemi të vështirë të arrijmë në UNESCO.
“Ne mund t’i japim të drejtën e përfaqësimit të projektit tonë edhe Tiranës pasi ajo ka statusin qe neve na mungon. Gjithashtu ajo që neve na mungon është trajtimi i duhur ndaj etnokulturës sepse nuk jemi në terren që t’i mbikëqyrim këto vlera dhe t’i mbrojmë me financime për hulumtimet e mundshme në terren e arkiva, pa kuadro dhe mbështetje e kemi të vështirë të arrijmë në UNESCO”, ka shtuar Neziri për Gazetën Alo.
Neziri në fund është shprehur i indinjuar me faktin se shqiptarët kanë 600 mijë vargje nga eposi, ku ia kalojmë edhe kulturës kineze me 400 mijë vargje dhe nuk ka një institut për ruajtjen e këtyre vargjeve.
“Ne kemi mbi 600 mijë vargje nga eposi shqiptar, ku ia kalojmë edhe kulturës kineze e cila ka 400 mijë vargje, por tek ne mungon instituti dhe sektorët që bëjnë mbledhjen dhe ruajtjen e tyre ashtu sikur që bëjnë edhe shtetet tjera. Si shembull, Finlanda e cila përkundër fatit të saj të ngjashëm robërimi si ne, ajo ka institutin e saj edhe pse ka vetëm 24 mijë vargje”, ka përfunduar Neziri për Gazetën Alo.
Zymer Neziri më mbledhjen e eposit shqiptar merret që nga viti 1979, dhe menjëherë pas luftës ka kërkuar që të krijohet një institut i veçant për mbrojtjen e vargjeve shqip, por që nuk ka gjetur përkrahje asnjëherë.
Neziri shumë projekte dhe iniciativa për të ruajtur gjuhën, kulturën dhe traditën shqiptare i ka bërë me vetë-financim./Gazeta Alo