Fjalë Kyçe

Zyra e Kryeministrit thotë se Haradinaj nuk ka zhvilluar takime me Radoiçiqin në jahte, nuk i mohon takimet tjera publike

Zyra e Kryeministrit thotë se Haradinaj nuk ka zhvilluar takime me Radoiçiqin në jahte, nuk i mohon takimet tjera publike

Zyra e kryeministrit në detyrë, Ramush Haradinaj, iu është përgjigjur deklaratave të Ministrisë së Punëve të Jashtme, lidhur me takimin e ministrit në detyrë Behgjet Pacolli me nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiq.

Sipas përgjigjes së tyre, të gjitha takimet që Haradinaj, si kryeministër i vendit, i ka zhvilluar me Radojçicin, si përfaqësues politik i një partie politike, kanë qenë publike nga ana e institucionit dhe po aq publike në çdo paraqitje që ai ka pasur në media, raporton KTV.

“Kryeministri Haradinaj asnjëherë nuk ka zhvilluar takime të fshehta në jahte, me askënd, e aq më pak me personin në fjalë. Gjatë punës së Kryeministrit, të gjitha takimet kanë qenë publike! Për më tepër pas fletarrestit të lëshuar nga organet e rendit të Kosovës dhe pas shpalljes si person në kërkim, Kryeministri i vendit asnjëherë nuk e ka takuar personin në fjalë”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Kryeministrit në detyrë, Ramush Haradinaj.

Jetlir Zyberaj, këshilltar politik i ministrit të Punëve të Jashtme në detyrë në një përgjigje për KTV-në lidhur me takimin Pacolli-Radoiçiq, ka thënë se nuk ka asgjë të fshehur për këto takime të zhvilluara në kohën e bisedimeve për koalicion.

Ai ka shtuar se për këtë takim dhe të tjerat mund të pyetet edhe kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj sepse ai ka qenë në të gjitha takimet me Radoiçiqin.