62.8 për qind e popullsisë rezidente në Zvicër flasin gjermanisht ose “schweizerdeutsch” (dialektin zviceran të gjermanishtes) gjermanisht. 22.9 për qind frëngjisht, 8.2 për qind italisht dhe 0.5 për qind gjuhën retromane, thuhet në të dhënat më të reja të publikuara sot nga Zyra Federale për Statiostikë.
Këto janë katër gjuhët vendore në Zvicër. Ndërkohë që përqindja e gjuhëve autoktone zvicerane të folura ka mbetur pak a shumë e pandryshuar, nga viti 2010, gjermanishtja ka rënë për 2.2 % gjatë kësaj periudhe, transmeton albinfo.ch.
Anglishtja është rritur nga 4.2 përqind në 2010 në 5.8 në 2018. Portugalishtja, gjuha e dytë më e pranishme e huaj, dëgjohet gjithashtu pak më shpesh: 3.6 për qind e popullsisë e kanë folur atë në vitin 2018 në krahasim me 3 për qind, tetë vjet më parë.
Është interesante në këtë statistikë lëvizja e gjuhës shqipe, shkruan albinfo.ch. Shqipja si idioma e katërt më e pranishme jo-gjermane në Zvicër në vitin 2010 flitej nga 2.7 për qind e popullsisë rezidente ndërsa në vitin 2018 ajo flitej nga 3.1 për qind. Saktësisht, shqipen në Zvicër e flasin 259.891 persona.
Duhet thënë se kjo shifër është më së afërmi realitetit në terren, në rrethanat kur nuk ka statistika që do të përmblidhnin numrin e përgjithshëm të atyre që identifikojnë veten si shqiptarë, shkruan albinfo.ch. Kjo, për faktin se statistikat zyrtare në Zvicër njohin vetëm përkatësinë shtetërore dhe jo atë etnike të të huajve që jetojnë këtu. Në këtë kuptim, kemi rregullisht statistika për numrin e “kosovarëve”, të “maqedonasve” të shtetasve të Shqipërisë etj. por jo të shqiptarëve si etni.