Fjalë Kyçe

Zyrtarë nga shteti për logon e Pavarësisë thonë se nuk portretizon asnjë gjini

Zyrtarë nga shteti për logon e Pavarësisë thonë se nuk portretizon asnjë gjini

Orhan Hajrezi, zyrtar i protokollit të shtetit ka thënë për Gazetën Insajderi se llogoja e 11-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës nuk portretizon asnjë gjini. Ai është shprehur se aty është vendosur vetëm një siluetë e një ushtari të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), shkruan Insajderi.

“Kjo është një qasje shumë e gabueshme për arsye se kjo është një siluetë e një ushtari të Forcës së Sigurisë së Republikës së Kosovës dhe në asnjë mënyrë nuk portretizon gjini qoftë mashkull apo femër. Aty e kemi vendosur një ushtarë asgjë më shumë”, ka thënë Hajrezi.

Me një mbi shkrim “Kosova nder dhe detyrë”, ku e gjithë foto është e bardhë, është vendosur një burrë gatitur në një shtyllë me ngjyrë të kaltër dhe të verdhë me gjashtë yje përmbi saj.

Kjo llogo e cila është publikuar gjatë ditës së djeshme nga Erolld Belegu, Këshilltari i Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, ende nuk dihet se kush e ka dizajnuar, shkruan Gazeta Insajderi.

Sipas juristes së të drejtës së medias, Flutura Kusari kjo llogo është diskriminuese.

Përmes një postimi në llogarinë e saj në Facebook, Kusari ka shkruar se llogoja për 11-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës me figurën e burrit është diskriminuese dhe papranueshme.

“Në media e pashë që llogo për 11 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës është me figurën e burrit. Llogo diskriminuese dhe e papranueshme. Pse me figurën e burrit?”, ka shkruar Kusari.

Ndër tjera duke ju referuar rastit të keqpërdorimit seksual të nxënëses nga Drenasi për të cilën raportoi Gazeta Insajderi. Kusari ka shkruar se “Në kohën kur Kosova përjetoi një ndër skandalet më të mëdha të krimeve seksuale të bëra nga burrat ndaj grave, ju po doni me na detyru që 11 vjetorin me festu me dedikim dhe mirënjohje kushtuar burrave a?”

“Po shihet nderi i burrave të Kosovës në polici, arsim, ushtri, politikë, prokurori, gjykatë”, ka shkruar Kusari.

Aktivistja për të drejtat e njeriut, Teuta Hoxha-Jahaj, ka thënë për KosovaPress, se logoja aktuale është diskriminuese.

“Ideja për modifikimin e logos më erdhi me të parë logon zyrtare të 11 vjetorit të pavarësisë, logo tejet diskriminues që nuk përfaqëson barazinë në shoqërinë tonë, me vet simbolin e burrit në të dhe me tekstin, duke harruar totalisht punën dhe nderin që gratë dhe vajzat e Kosovës po na sjellin, logjikë kjo tejet e gabuar e përzgjedhësve të logos”, ka thënë Hoxha Jahaj për KosovaPress.

Ajo ka thënë se si e tillë logoja është e papranueshme, sepse mohon punën e grave e vajzave në shoqërinë kosovare.

Njëherësh, përmes logos së modifikuar, aktivistët kanë dashur të përçojnë edhe një mesazh për qeverinë.