Fjalë Kyçe

Zyrtarizohet koalicioni LVV-LDK

Zyrtarizohet koalicioni LVV-LDK

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës edhe zyrtarisht kanë nënshkruar marrëveshjen për bashkëqeverisje. Lajmin e kanë bërë të ditur kryetari i VV-së, Albin Kurti dhe ai i LDK-së, Isa Mustafa.

Të dy thanë në një konferencë për media se kanë vlerësuar se kjo marrëveshje është në dobi të Kosovës.

Kurti tha se Qeveria do t’i kenë 15 ministri dhe 33 zëvendësministra.

“Ne sot u takuam me profesor Isa Mustafën, u takuam dhe u dakorduam që të takohemi edhe nesër që ta zgjedhim qeverinë e re. Ne tashmë e kemi nënshkruar marrëveshjen e jemi marrë vesh për të gjitha, edhe për ndarjen e përgjegjësive në kuadër të qeverise së re”, tha Kurti.

Ai tha se nuk ka qenë i lehtë ky proces.

Sa i përket postit të kryeparlamentarit, Kurti tha se Glauk Konjufca nuk do të jap dorëheqje por do të vijë në ekzekutiv. Ndërsa, nesër VV do të propozoj një emër të LDK-së për kryetar të Kuvendit.

Kurse, Mustafa tha se janë pajtuar që posti i presidentit mos të jetë pjesë e kësaj marrëveshje.

“Sa i përket kryetar të kuvendit ne do të diskutojmë sot ne këshillin e përgjithshëm”, tha ai.