Fjalë Kyçe

​Atmosferë në kryeqytet, qytetarët festojnë ndërrimin e moteve

​Atmosferë në kryeqytet, qytetarët festojnë ndërrimin e moteve

Me muzikë e fishekzjarre u festua ndërrimi i moteve në kryeqytet. Qytetarë të shumtë, të lumtur dhe me muzikë pritën ardhjen e Vitit 2019 në koncertin që komuna e Prishtinës ka organizuar në sheshin “Zahir Pajaziti”.

Në sekondat e parë të vitit 2019,  i gjithë qyteti u ndriçua nga fishekzjarre të shumta dhe atmosfera impozante që u krijua nga performanca e artistëve të njohur.

I pari i kryeqytetit, Shpend Ahmeti u shpreh i lumtur me pjesëmarrjen e qytetarëve gjatë këtij viti, sepse, sipas tij, për dallim prej viteve tjera, këtë vit është shtuar numri i atyre që kanë festuar bashkë në shesh. Në lidhje me shpenzimet për koncertin, Ahmeti tha se nuk ka kushtuar shumë pasi është bërë në bashkëpunim me sponsor. Ndërsa, theksoi se të hyrat janë shumë të mëdha për bizneset në afërsi. Të lumtur me këtë organizim shiheshin dhe qytetarët që kishin dalur për të festuar.

Kaltrina Kryeziu për KosovaPress shprehet e lumtur me këtë aktivitet. Përkundër kësaj, disa qytetarë tjerë shprehen më skeptik mbi gjendjen dhe ndryshimet që mund të ndodhin në Prishtinë.

Arianit Vokrri,  thekson nevojën për liberalizim të vizave dhe hapjen e vendeve të reja të punës për të rinjtë e Kosovës. Mendim të njëjtë ndan dhe Besnik Pllana, i cili shpreh zhgënjimin që ka me gjithë situatën ekonomike dhe politike në Kosovë.

Tashmë është bërë traditë që komuna e Prishtinës organizon koncerte të tilla gjatë ndërrimit të moteve në kryeqytet.