Fjalë Kyçe

100 rrëfimet për një shekull histori mbesin në sirtarët e Ministrisë

100 rrëfimet për një shekull histori mbesin në sirtarët e Ministrisë

Në qershor të vitit të kaluar, gjatë një ceremonie në BKK, projekti dhjetëvëllimësh ishte botuar vetëm në dhjetë ekzemplarë promovues. Por 10 vëllimet e librit “Kujtesa e Kosovës, 100 rrëfime nga 100 pleq e plaka” ende nuk e kanë parë dritën e botimit
Të lindur në vitet ’30 e ’40 të shekullit të kaluar, njëqind persona të moshuar kishin dhënë rrëfimet e tyre, ku përthyhej historia njëshekullore e Kosovës.

Në to kishte rrëfime, dëshmi e kujtime për njerëz që nuk jetojnë më, për një botë të dikurshme, për ankthe, gëzime e hidhërime.

Në më shumë se 3 mijë faqe transkript ishte shtrirë lënda e të parit botim të kujtesës kolektive në vendin tonë. “Kujtesa e Kosovës, 100 rrëfime nga 100 pleq e plaka” ishte projekti që kishte nisur qysh në fund të vitit 2017 si projekt mes Bibliotekës Kombëtare të Kosovës dhe Departamentit të Antropologjisë në Universitetin e Prishtinës.

Në qershor të vitit të kaluar, gjatë një ceremonie në BKK, projekti dhjetëvëllimësh ishte botuar vetëm në dhjetë ekzemplarë promovues. Ministri i asokohshëm i Kulturës, Kujtim Gashi, kishte premtuar se do të mbështetej edhe përkthimi i projektit në gjuhën angleze, ashtu që të bëhej i qasshëm për përdoruesit e huaj.

E, megjithatë, vëllimet me historitë gojore të personave të moshuar nuk e kanë parë dritën e botimit as pas një viti. Në qershor, Ministria e Kulturës ka njoftuar për kontratën e “botimit të vëllimeve ‘Projekti Kujtesa e Kosovës për Bibliotekën Kombëtare të Kosovës’”.

Sipas dosjes në faqen “E-Prokurimi” të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, projekti ishte paraparë të realizohej më së largu në fillim të muajit prill.

“Për arsye të pandemisë Covid-19 rrezikohet qëndrueshmëria e projektit, sepse kanë kaluar të gjitha afatet e parapara në dinamikën e realizimit të projektit, pasi që projekti ka qenë i planifikuar të realizohet në periudhën e fundit të muajit mars dhe në fillim të muajit prill”. Gazeta gjatë ditës ka provuar të marrë një deklaratë nga zyrtarët ministrorë, por kjo ishte e pamundur.

Gjithnjë sipas tenderit në fjalë, të dhjetë vëllimet me gjithsej 3.365 faqe parashihet të botohen secili me nga 500 ekzemplarë.

Drejtori i BKK-së, Fazli Gajraku, është shprehur optimist se së shpejti do të botohen vëllimet me historitë gojore të personave të moshuar.

Në një prononcim për KOHËN, ai ka bërë të ditur se ka pasur shkëputje në fillim të këtij viti edhe me rastin e ndërrimit të shpeshtë të qeverive.

“Por me aq sa jam vënë në dijeni prej Ministrisë së Kulturës, janë vetëm çështje procedurale te tenderit deri në botimin e vëllimeve të projektit”, ka thënë Gajraku.