12 njerëz nga 19 persona që vuanin nga meningjiti në provincën jugore të Spanjës në Seville kanë rezultuar pozitivë për ethet e Nilit, ndërsa shtatë mostra tjera ende presin rezultatet, ka thënë qeveria rajonale e Andaluzisë të enjten.
Shtatëmbëdhjetë rastet e testuara janë në spital, ndërsa shtatë prej tyre në përkujdesje intensive.
Virusi i Nilit bartet nga pickimet e mushkonjave, dhe autoritetet rajonale në Andaluzi kanë rekomanduar që të vendosen rrjetat kundër mushkonjave nëpër shtëpi, shkruan Reuters.
Ethet e Nilit kryesisht shkaktojnë simptome të buta të ngjashme me gripin. Sidoqoftë në një përqindje të vogël të njerëzve mund të çojë deri tek komplikimet serioze si inflamacioni i trurit dhe palcës së kurrizit me pasoja fatale, transmeton KOHA.
Me origjinë nga Afrika, sëmundja është përhapur në Evropë, Azi dhe Amerikë të Veriut. Gjatë dekadës së fundit në Spanjë tashmë janë shfaqur disa raste.
Virusi i përket familjes së njëjtë si virusi Zika, i cili pat shkaktuar epidemi në Amerikën Veriore dhe Jugore në vitet 2015 dhe 2018.
Greqia ka raportuar 10 raste të etheve të Nilit dhe një vdekje gjerë tani, ndërsa Rumania ka raportuar 2 raste, sipas Qendrës Evropiane për Kontroll të Sëmundjes.