Sipas mediave amerikane, familja është me prejardhje nga Shqipëria.
Zjarri është raportuar rreth orës 05:15 të mëngjesit të së mërkurës (sipas kohës lokale në ShBA), më 26 gusht, ndërsa ekipet e zjarrfikësve kanë mbërritur brenda pak minutash dhe janë përballur me flakë të mëdha në katin e parë dhe tym në katin e dytë, ka thënë Golden, raporton media amerikane “Jacksonville“.
Dy të rritur kishin arritur të dilnin tashmë nga shtëpia bashkë me dy fëmijë. Zjarrfikësit kanë kontrolluar shtëpinë dhe kanë gjetur tre fëmijët e tjerë pa shenja jete. Golden nuk ka mundur të tregojë moshën e tyre.
Anëtarët e familjes që kanë mbërritur në vendngjarje kanë thënë se janë nga Shqipëria dhe se të gjithë fëmijët ishin djem.
Një fqinj i ka thënë “News4Jax” se persona që ndodheshin pranë vendit të ngjarjes kanë ndihmuar të kapnin një foshnjë dhe një të rritur, të cilët kishin dalë nga një dritare e katit të dytë.
Ekipet kanë arritur ta vënë zjarrin nën kontroll deri në orën 05:40, por shtëpia është shkatërruar, ndërsa nga zjarri janë prekur edhe dy njësi banimi ngjitur, ka bërë të ditur shefi i zjarrfikësve.
Golden ka thënë se Kryqi i Kuq Amerikan po ndihmon shtatë të rritur dhe gjashtë fëmijë që kanë mbetur të zhvendosur si pasojë e zjarrit.
“Nuk ka fjalë që mund ta lehtësojnë peshën e një mëngjesi si ky”, ka thënë Departamenti i Zjarrfikësve. “Mendimet tona janë me familjet që humbën njerëzit e tyre të dashur, me ata që u lënduan dhe u zhvendosën, si dhe me pjesëtarët e JFRD-së që iu përgjigjën kësaj skene shkatërruese”.