Fjalë Kyçe

12 të vrarë nga një sulm në xhami

12 të vrarë nga një sulm në xhami

Së paku 12 vetë u vranë nga një shpërthim në xhami, në kryeqytetin e Afganistanit, Kabul.

Sulmi ndodhi në ditën e dytë të armëpushimit të deklaruar nga Qeveria afgane dhe militantët talibanë, me rastin e Festës së Bajramit.

Zëdhënësi i policisë në Kabul, Ferdaws Framurz, tha se sulmi ndodhi gjatë faljes së Xhumasë në një xhami të qarkut Shakar Darah.

Sipas tij, 15 vetë të tjerë u plagosën, ndërsa imami i xhamisë, Mofti Naiman, është në mesin e të vrarëve.

Përgjegjësinë për sulmin nuk e ka marrë ende asnjë grup.

Zëdhënësi i talibanëve, Zabihullah Mujahid, tha se grupi i tij nuk qëndron pas sulmit.

Përkundër armëpushimit të shpallur treditor, disa sulme me bomba ndodhën edhe të enjten në Afganistan, duke lënë së paku 11 njerëz të vrarë.

Në fillim të këtij muaji, Shtetet e Bashkuara kanë nisur t’i tërheqin trupat e veta nga Afganistani, pas 20 vjetësh luftë.

Deri më 11 shtator pritet të tërhiqen të gjitha trupat amerikane, ashtu si edhe forcat e tjera të NATO-s, të pranishme në Afganistan.

Kjo ka rritur shqetësimet e vëzhguesve nëse Qeveria afgane mund t’ia dalë e vetme në luftën kundër talibanëve dhe grupeve të tjera militante./ REL