184 militantë kurdë janë vrarë deri më tani nga sulmet ajrore të kryera nga Turqia në Sirinë Veriore dhe Irakun Verior, sipas ministrit turk të Mbrojtjes, gjatë një vizite në komandën e forcave tokësore të Forcave të Armatosura Turke.
Hulusi Akar, i shoqëruar nga komandantët e marinës, forcave ajrore, forcave tokësore dhe shefit të Shtabit të Përgjithshëm, Yasar Guler, ka thënë se gjithsej 80 objektiva u goditën gjatë orëve të para të operacionit dhe tetë objektiva të tjera “të mundshme” u goditën gjithashtu në mëngjes.
Militantët e dyshuar kurdë në Siri hodhën raketa përtej kufirit me Turqinë, duke vrarë të paktën dy persona dhe duke plagosur 10 të tjerë.
Sulmi pasoi sulmet ajrore vdekjeprurëse nga Turqia ndaj objektivave të dyshuara të militantëve në Siri dhe Irak.
Të hënën presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, sinjalizoi se Turqia po mendonte gjithashtu një inkursion tokësor kundër grupeve militante.
Ministria e Mbrojtjes dhe ushtria e Turqisë do të flasin për numrin e trupave tokësore që do të kërkohen, ka bërë të ditur presidenti turk.
Turqia ka nisur tri inkursione të mëdha në veri të Sirisë që nga viti 2016 dhe tashmë kontrollon disa territore siriane në veri.