Fjalë Kyçe

20 mijë veta mblidhen në Berlin për të protestuar kundër masave të pandemisë

20 mijë veta mblidhen në Berlin për të protestuar kundër masave të pandemisë

Afër 20 mijë persona kanë marrë pjesë në protestën kundër masave të koronavirusit në Berlin të Gjermanisë, raporton Reuters. Protestuesit në këtë protestë nuk kanë respektuar asnjë masë për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

Policia ka arrestuar një person pasi është përleshur me zyrtarët gjatë kësaj protestës, transmeton KOHA. Situata është tensionuar kur policia obligoi protestuesit që të mbajnë maska me qëllim që të vazhdojnë marshin e tyre.

Policia është detyruar të ndërhyjë pasi shumica e protestuesve refuzuan të mbajnë distancën nga njëri-tjetri. Kjo protestë besohet se është organizuar nga krahu i djathtë ekstrem dhe gjatë saj është shfaqur edhe flamuri nazist.

Për të kundërshtuar këtë protestë kanë dalë në rrugë 100 persona që bënin thirrje kundër nazistëve. Organizatorët kanë thënë se në protestë kanë qenë 22 mijë pjesëmarrës.

Kjo nuk është hera e parë që në Berlin protestohet kundër masave për mbrojtjen nga koronavirusi. Javë më parë u organizua një protestë kundër vaksinimit. Në këtë protestë morën pjesë adhurues të teorive konspirative dhe aktivistë kundër vaksinimit.

Autoritetet në Berlin kanë ndaluar tubimet e tilla për shkak se pjesëmarrësit nuk respektonin distancën, por një vendim i Gjykatës ka mundësuar organizimin e tyre.

Më shumë se 3 mijë policë janë angazhuar nëpër Berlin dhe janë të gatshëm të ndërhyjnë nëse përkeqësohet situata. Gjatë javëve të fundit, Gjermania përkundër vendosjes së masave, është goditur nga një valë e re e infektimeve me koronavirus.