Fjalë Kyçe

“2019-ta, vit i lajmeve të mira për marrëdhëniet Kosovë – Serbi“

“2019-ta, vit i lajmeve të mira për marrëdhëniet Kosovë – Serbi“

Ambasadori i Gjermanisë në Beograd Thomas Schieb ka deklaruar sot se Gjermania me partnerët e vet evropianë e amerikanë në mënyrë të qartë përpiqet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë e Kosovës, transmeton Koha.net.

Ai ka shfaqur shpresën se dialogu ndërmjet dy vendeve do të vazhdojë së shpejti dhe se viti 2019 do të jetë vit i lajmeve të mira.

„Besojmë fuqimisht se dialogu në të cilin ndërmjetëson BE-ja, do të vazhdojë së shpejti“, ka thënë ambasadori Schieb për agjencinë Beta.

Ai ka theksuar “se vetëm dialogu mund të sjellë marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht të detyrueshme që edhe është parakusht për anëtarësim në BE“.

„Kjo kupton se marrëveshja duhet të gjejë zgjidhje në të gjitha çështjet e hapura e që me këtë rast edhe mund të zbatohet. Ajo duhet të bazohet në parimin e multietnicitetit dhe në standardet demokratike për t’i kontribuuar stabilitetit të rajonit. Për këtë arsye na vjen keq për të gjitha veprimeve të njëanshme që rrezikojnë nisjen e sërishme të dialogut“, tha Schieb.

Ambasadori gjerman ka shfaqur bindjen se “perspektiva e anëtarësimit në BE është mjeti më i mirë për nxitjen e mirëqenies, paqes, demokracisë dhe sundimit të së drejtës në vendet e Ballkanit Perëndimor” dhe ka shtuar se shpreson se negociata me Serbinë sivjet do të kenë një përparim të rëndësishëm.