Në shkollën fillore “Elena Gjika”, ende nuk ka filluar vlerësimi i performancës së mësimdhënësve, sikur në 60 shkolla tjera të Kosovës.
Megjithatë, mësuesja e klasës së parë, Blerta Zeqiri-Hasani, thotë se e mirëpret këtë vlerësim, pasi do t’i inkurajonte mësimdhënësit për punë edhe më efikase me nxënës.
Ajo vetëm kërkon dhe pret që vlerësimi të jetë real, raporton KTV.
Vlerësimi i mësimdhënësve do të jetë i jashtëm dhe i brendshëm. Në vlerësimin e brendshëm, mësimdhënësit mund ta vlerësojnë veten, e kjo përbën 10% të vlerësimit, ndërsa drejtori i shkollës me 30%.
Më pas, vlerësimi i jashtëm bëhet nga Ministria e Arsimit, ku shtohen edhe 60% të pikëve tjera.
Dëfrim Gashi, drejtor i Inspektoratit të Ministrisë së Arsimit ka thënë se mësimdhënësit mund të dështojnë në këtë proces.
Në anën tjetër, Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, dyshon se ky proces do të jetë i rregullt pasi, sipas kryetarit Rrahman Jasharaj, me 21 inspektorë sa ka Ministria e Arsimit, nuk mund të vlerësojë mbi 23 mijë mësimdhënës.
Pikërisht për shkak të numri të vogël të inspektorëve, zyrtarë të MASHT-it kanë thënë se procesi i vlerësimit mund të zgjasë deri në 5 vjet.