Fjalë Kyçe

Haradinaj i reagon ashpër Vuçiqit: Zotohem se do ta mbrojë territorin e Kosovës nga ju

Kryeministri i vendit Ramush Haradinaj ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit serb Aleksandër Vuçiq i cili dje ka thënë se Serbia nuk i njeh kufijtë e Kosovës.

Përmes, një postimi në profilin e tij në Facebook, Haradinaj ka thënë se  këto deklarime janë edhe një atak i hapur ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, shkruan Gazeta Alo.

Sipas tij, me këto deklarata Vuçiq po rrezikon paqen, stabilitetin dhe sigurinë në Kosovë.

Postimi i tij i plotë:

Deklaratat e fundit kërcenuese, agresive dhe luftënxitëse të Presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiq, të dhëna dje me datë 7 shkurt 2019 në qytetin e Vranjës, Serbi, se nuk i njeh kufijtë e Kosovës, kufijtë ndërkombëtarisht të njohur dhe të pranuar në Jarinjë dhe Bërnjak, janë të papranueshme dhe paraqesin cenim serioz të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.

Këto deklarime janë edhe një atak i hapur ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, si dhe rrezikojnë paqen, stabilitetin dhe sigurinë në Kosovë, rajon dhe më gjerë.

Si kryeministër i Republikës së Kosovës zotohem se do të ndërmarr të gjitha veprimet kushtetuese dhe ligjore me qëllim të ruajtjes së sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, në përputhje me Deklaratën e Pavarësisë së 17 shkurtit 2008 dhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës./Gazeta Alo/

Lajme të tjera