Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se taksa do të hiqej vetëm nëse do të kishte një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë.
Ai ka thënë se vendimi për vendosjen e taksës është vendim racional dhe nuk e kupton arsyen se përse taksa ndërlidhet me vazhdimin e dialogut.
“Me rendësi Kosova me mbet në këmbë. Nuk është me rëndësi kush rrëzohet. Jam i interesuar për një marrëveshje pra pa cenimin e territorit, pra jam për dialog”, ka thënë Haradinaj, shkruan Gazeta Alo.
“Është vendim i Qeverisë është vendim racional. Nuk e kuptoj pse ndërlidhet dialogu me këtë, jam me u kthy dialogu, me u kthy tavolina, vendimet janë tonat dhe janë sovrane’, ka thënë ai.
Këto komente Haradinaj i bëri pas homazheve në shtatoren e Zahir Pajazitit.
Ndërsa, ka treguar edhe se për çfarë është diskutuar në takimin e mbrëmshëm më partnerët e koalicionit qeverisës.
“Takimi i djeshëm ka qenë mes partnerëve të koalicionit, ka qenë takim për sfidat që na presin nuk jemi pa sfida, kemi vështirësi të mëdha. Na kërkohet që të ia japim shancën dialogut, kjo na kërkohet edhe prej ambasadorit amerikan, dëshira është me pa dialogun me vazhdu por se kuptoj pse po e ndërlidhin dialogun me taksën”, ka deklaruar Haradinaj.
“Unë jam për me vazhdu dialogu por nuk dua mi ndërlidh temat. Një marrëveshje gjithëpërfshirëse mund t’i zgjidh të gjitha problemet. Nuk është në rregull me i vu kushte Kosovës për tavolinë. Nuk e kuptoj pse dikush duhet me i thënë Kosovës nuk vi në tavolinë. Zonja Mogherini mundet me thirr takimin kur don”, ka thënë i pari i ekzekutivit.
Ndërsa, i pyetur rreth asaj se a mundet që të ketë lëkundje në koalicion dhe Qeveria të bie, Haradinaj ka thënë se të gjitha janë të mundshme.
“Ne jemi në procese reale politike, të gjitha janë të mundshme, këto ditë e javë që vijnë. Dëshira jem është me i kry proceset për vendin. Ajo që është me rëndësi është që vendosja e taksës është vendim sovran dhe nuk është bë kundër dialogut por është bë me i kërku Serbisë një qasje të re me Kosovën’, ka deklaruar Haradinaj.
Ai ka thënë se Amerika për të është familje e tij, dhe nuk është për prishje të raporteve.
“Amerika për mua është familja jem dhe e përjetoj si familje”./Gazeta Alo/