Fjalë Kyçe

“Thaçi i ka premtuar NATO-s më 2013 se s’do të hyjë me Ushtri në veri”

“Thaçi i ka premtuar NATO-s më 2013 se s’do të hyjë me Ushtri në veri”

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, më 2013 i kishte premtuar NATO-s se Forcat e Sigurisë së Kosovës nuk do të shkojnë në veri pa pajtimin e KFOR-it.

Kështu ka mësuar Radio Evropa e Lirë, edicioni në gjuhën serbe, nga burime brenda Aleancës Veriatlantike. Burime nga NATO-ja kanë sqaruar se n lidhje me këtë ekziston një letërkëmbim mes kryeministrit të atëhershëm të Kosovës, Hashim Thaçi dhe ish-Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen.

“Në thelb, kryeministri i atëhershëm Thaçi kishte premtuar se FSK-ja nuk do të shkonte në veri të lumit Ibër pa një marrëveshje me komandantin e KFOR-it”, ka sqaruar për REL-in zyrtari në NATO.

Shefi i NATO-s edhe kësaj radhe i është referuar marrëveshjes së Brukselit për të thënë se FSK-ja nuk mund të shkojë në veri, por nuk ka pranuar të flasë nëse kjo është për shkak të një letre që ish-kryeministri Thaçi ia kishte dërguar ish-sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rasumssen, ku i garantonte se nuk do ta dërgojë forcën në veri.

Ndërkaq, burim i REL-it ka konfirmuar se dokumenti asnjëherë nuk është publikuar, pasi që nuk ishte i nënshkruar. “Nuk është marrëveshje. Është një shkëmbim privat i letrave mes kryeministrit të atëhershëm Thaçi dhe sekretarit të atëhershëm të Përgjithshëm Rasmussen”, ka sqaruar më tej burimi.

Sipas fjalëve të tij, deri tek ky letërkëmbim ka ardhur në periudhën pas arritjes së marrëveshjes së Brukselit mes Kosovës dhe Serbisë dhe para rinisjes së dialogut në vitin 2013.

Sekretari i tashëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në dy raste brenda pak ditësh u ka thënë autoriteteve në Kosovë se FSK-ja nuk mund të kalojë në pjesën veriore të Kosovës “pa pajtim me komandantin e KFOR-it”.

Për këtë qëndrim, shefi i Aleancës Veriatlantike mbështetet në marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013 që ishte arritur mes kryeministrave të atëhershëm të Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi, respektivisht Ivica Daçiq. Sipas Stoltenbergut, marrëveshja e Brukselit “qartë deklaron se FSK-ja nuk mund të shkojë në veri pa pajtimin e komandantit të KFOR-it”.

Mirëpo, siç shkruan REL-i, asnjë nen i marrëveshjes së Brukselit nuk flet për FSK-në. Kjo është konfirmuar indirekt edhe nga Maja Kocijançiç, zëdhënëse e BE-së, kur u pyet për të sqaruar nenin e marrëveshjes që flet për FSK-në.

“Marrëveshja e Brukselit e arritur në prillin e vitit 2013 parasheh integrimin e strukturave të sigurisë në Kosovë dhe obligimet e palëve në të. Bashkimi Evropian pret nga Kosova vazhdimin e përmbushjes së obligimeve të veta në bazë të aranzhimeve të sigurisë së kësaj marrëveshjeje dhe në bazë të prezencës ushtarake ndërkombëtare”, ka thënë Kocijançiç në një përgjigje me shkrim.

Ndërkaq, zëdhënësi i KFOR-it në Kosovë, Vincenzo Grasso, nga ana tjetër, deklaron se marrëveshja për ndalimin e hyrjes së FSK-së në pjesën verore të Kosovës është pjesë e marrëveshjes së Brukselit.

“Më 2013, një marrëveshje u arrit në lidhje me angazhimin e FSK-së. Në bazë të marrëveshjes, FSK-ja duhet autorizuar nga komandanti i KFOR-it para se të zhvendoset në veri të Kosovës”, ka thënë Grasso.

Megjithatë, siç kanë sqaruar zyrtarët e Aleancës për REL-in, kur flitet për marrëveshjen e Brukselit në kontekst të FSK-së, zyrtarët e NATO-s kanë parasysh shkëmbimin e letrave mes ish-Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, dhe kryeministrit të atëhershëm të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe jo marrëveshjes së Brukselit që është arritur nga atëherë kryeministrat e dy vendeve, Thaçi e Daçiq.

Çështja e Forcave të Sigurisë së Kosovës ka nisur të diskutohet kohë më parë në shtabin e përgjithshëm të NATO-s pas vendimit të Kuvendit të Kosovës që këto forca të armatosura t’i transformojë në Ushtri të Kosovës.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, javën e kaluar tha para gazetarëve se pas formimit të Ushtrisë, në bazën e NATO-s ka dërguar një letër të re, përmbajtjen e së cilës ka refuzuar ta zbulojë para përfaqësuesve të mediave. Megjithatë, shumë burime në Aleancë kanë thënë për REL-in se nuk janë të njoftuar me arritjen e çfarëdo letre nga ana e kabinetit të presidentit të Kosovës në shtabin e përgjithshëm të NATO-s.