Gazeta Sinjali pak më parë raportoi për një rast të një sulmi fizik që ndodhi dje në Pejë, ku viktimë ishte një 30-vjeçar, të cilin e bënë për spital dy persona. 30-vjeçari u rrah në parkingun e ‘Interex-it’, ku po priste në takim një vajzë të cilën e njohu kohë më parë në rrjetin social ‘Snapchat’. Por ai në të njëjtën ditë, ishte denoncuar në Polici nga vetë vajza, e cila kishte deklaruar se është në hall nga personi në fjalë.
Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë të ditur se në Polici gjatë ditës së djeshme është iniciuar rasti për dy vepra penale ndaj 30-vjeçarit i cili u dërgua me lëndime të rënda në spitalin e Pejës, pasi u rrah keq nga dy të rinj.
Sinjali mëson se një 19-vjeçare ka deklaruar se tash e dy vite vazhdimisht ka dhunë dhe presion psikologjik nga tashmë i dyshuari, i cili e kërcënon me jetë në rast se vendos që ajo të largohet prej tij.
E si duket insistimi i tij për të qenë bashkë me vajzën e re, ka revoltuar dy persona tjerë, të cilët planifikuan një takim me 30-vjeçarin, pa qenë në dijeni ky i fundit se me kë do të përballet.
Pejani kishte dalë në parkingun e ‘Interex-it’ ku po priste që të takohej me vajzën që dëshiron ta njohë më shumë, kur para tij u ndal vetura ku ndodheshin dy persona të cilët sulmuan fizikisht 30-vjeçarin, duke i shkaktuar atij lëndime të rënda trupore.
Ai rastin e denoncoi edhe në Polici, ku njëri nga të dyshuarit për rrahjen ndaj tij përfundoi në ndalim policor, ndërsa tjetri u arratis.
Por në mbajtje u dërgua edhe vetë 30-vjeçari, pasi Prokuroria ka nisur hetimet për dy vepra penale të cilat dyshohet se i ka kryer, ‘Ngacmim’ dhe ‘Kanosje’.