Në hapje të mbledhjes së sotme të Qeverisës ë Republikës së Kosovës, Kabineti është informuar për situatën aktuale të krijuara nga zjarret e shumta që po dëmtojnë pyjet e Kosovës. Qeveria e Kosovës ka miratuar në mbledhjen e sotme vendimin sipas të cilit ka ndarë 500 mijë euro për Kombëtaren e Kosovës në Futboll.
Kryeministri Ramush Haradinaj ka njoftuar kabinetin qeveritar me takimin e zhvilluar me përfaqësuesit e mekanizmave të sigurisë së vendit ku kanë diskutuar për dukurin e zjarreve në Kosovë. Kryeministri ka thënë se institucionet kanë një plan të veprimit në këtë fushë dhe ka bërë apel te të gjithë akterët për ngritje të vigjilencës dhe shmangies së zjarreve që po shkaktojnë dëme të konsiderueshëm në florën dhe faunën e vendit tonë.
Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e sotme ka emëruar drejtorët në bordet e ndërmarrjeve publike: Trainkos, Infrakos dhe në Kompaninë për Menagjimin e Deponive të Mbeturinave, sipas listave të rekomanduara nga komisionet përzgjedhëse, nga intervistimi i kandidatëve që kanë aplikuar për këto pozita.
Qeveria ka shqyrtuar kërkesën e Shoqatës së Malazezëve të Kosovës për mbështetjen financiare për realizimin e projektit për funksionimin e Qendrës për zhvillim të malazezëve në Kosovës. Në arsyetim të kësaj kërkese, shoqata ka theksuar rëndësinë e kësaj qendre, si një adresë e grumbullimit të këtij komuniteti për zhvillim dhe përparim dhe kontribut të drejtpërdrejt në forcimin e marrëdhënieve të përgjithshme mes Kosovës dhe Malit të Zi. Shuma e kërkuar dhe e aprovuar nga kabineti qeveritar është 40 mijë euro.
Është shqyrtuar dhe aprovuar edhe kërkesa e Komunës së Istogut për ndarje të mjeteve financiarë për realizim të projektit për furnizim me ujë për fshatrat Banjë, Baicë, Lubovë, Carallukë, Kashicë dhe Dubovë e vogël. Me realizimin e këtij projekti do të bëhet zëvendësimi i gypit ekzistues të këtij ujësjellësi dhe kjo do të kontribuojë në furnizimin e shëndetshëm të këtyre banorëve me ujin e pijes. Kostoja financiare për realizimin e këtij projekti kap shumën prej 137,033.40 euro.
Me propozimin e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) është bërë plotësimi dhe ndryshimi i vendimit të Qeverisë për qëllim të përdorimit të kompleksit banesor-afarist ‘Hade dhe Hade2”. Duke u bazuar në legjislacion dhe praktikat e punës, MPMS ka konstaton se nuk është përgjegjëse për zhvillimin e procedurave për përzgjedhjen e përfituesve sipas pikës dy të këtij vendimi. Andaj MPMS, propozon që Qeveria të autorizojë Komunën e Obiliqit që të zhvillojë tërë procesin e përzgjedhjes së përfituesve të drejtës së banimit në hapësirat sipas destinimit të përcaktuar.
Kabineti qeveritar në mbledhjen e sotme ka miratuar vendimin për të aprovuar kërkesën e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) për rialokim të mjeteve në buxhetin e kësaj ministrie nga projekti “Bashkëfinancim me donator për skemën e granteve bazuar në performancën komunale. Me qëllim të realizimit të projekteve, MAPL ka kërkuar alokimin e 948,555.00 euro. Nga këto mjete do të realizohen projektet:
– Rregullimi i kanalit dhe trotuarit në Brezovicë, komuna e Shtërpcës;
– Ndriçimi i rrugës nga shkolla “Pandeli Sotiri” në Obiliqin e Vjetër deri në kryqëzimin e rrugëve Zahir Pajaziti-Kadri Pllana, në Obiliq.
– Rregullimi i kanalizimit fekal dhe asfaltimi i rrugëve në Lagjen e Paradonit, në Gjilan,
– Ndërtimi (hapja, zgjerimi) dhe asfaltimi i rrugëve lokale në Han të Elezit, në komunën e Hanit të Elezit,
– Ndërtimi i aneksit të objektit të komunës, në Komunën e Kaçanikut,
– Shtigjet e ecjes dhe shtigjet e biçikletave në Lipjan,
– Revitalizimi i ndërtesës së vjetër të komunë në Viti.
Është miratuar nga kabineti qeveritar në mbledhjen e sotme vendimi për shqyrtim të mëtejmë të kërkesës për shpronësim për interes publik të pronës së paluajtshme në Zonën Kadastrale të Hajvalisë, Komuna e Prishtinës, e cila preket nga ndërtimi dhe realizimi i projektit “Rregullimi i shtratit të prrockës në Hajvali” që do të përmirësojë mbrojtjen e mjedisit në këtë zonë.
Është aprovuar edhe Raporti i Vlerësimit të përshtatshmërisë së sistemit financiar të komunave për vitin 2018. Raporti prezanton vlerësimin e Komisionit të Granteve mbi përshtatshmërinë e sistemit të financimit të nivelit komunal gjatë vitit 2018, rezultatet e vlerësimit dhe sfidat e identifikuara nga Komisioni i Granteve dhe ofron rekomandime për përmirësimin e mëtejmë të sistemit të financimit të komunave.
Me propozim të Ministrisë së Financave, është aprovuar vendimi për themelimin e sekretariatit për monitorimin e zbatimit të aktiviteteve për “Operacionin për Zhvillim të Politikave” në dizajnim të Ministrisë së Financave dhe Bankës Botërore. Sekretariati do të përbëhet:
Ministria e Financave – kryesues i sekretariatit,
Ministria e Administratës Publike,
Ministria e Tregtisë dhe Industrisë,
Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale,
Koordinatori Nacional për Reformën Shtetërore,
Drejtori i Zyrës Ligjore në ZKM,
Drejtori i Sekretariatit Koordinues të Qeverisë, ZKM.
Drejtori i Përgjithshëm i Thesarit, Ministria e Financave,
Drejtori i Departamentit të Buxhetit, Ministria e Financave,
Drejtori i Zyrës Ligjore, Ministria e Financave.
Sekretariati do të organizojë takime të rregullta mujore për të monitoruar zbatimin e aktiviteteve të përcaktuara. Sipas nevojës, në takime mund të ftohen edhe përfaqësues të Bankës Botërore për të dhënë mbështetjen dhe qartësimin e procesit të mbështetjes teknike të ofruar për implementimin e aktiviteteve.
Në mbledhjen e sotme, Qeveria e Republikës së Kosovës ka emëruar Ekrem Gjokaj në pozitën e kryeshefit të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.