Fjalë Kyçe

Banka Botërore reagon lidhur me raportin për zvogëlimin e vendeve të punës në Kosovë

Banka Botërore reagon lidhur me raportin për zvogëlimin e vendeve të punës në Kosovë

Zyra e Bankës Botërore ka sqaruar raportin e rregullt ekonomik i cili shkaktoi reagime të politikanëve në Kosovë.

Ata kanë treguar se ky raport nuk konkludon se 17,000 vende të punës janë humbur në vitin 2018, por se raporton një rënie të shkalles vjetore të papunësisë prej rreth 1 pikë përqindje,.
Ndërkohë, gjithashtu kanë qartësuar se ka pasur një rënie të numrit të njerëzve që kanë marrë pjesë në tregun e punës.

Ky është reagimi i plotë i Zyrës së Bankës Botërore:
Zyra e Bankës Botërore dëshiron të qartësojë se Raporti i Rregullt Ekonomik (RER) për ekonomitë e Ballkanit Perëndimor, i publikuar para pak kohe, nuk konkludon se 17,000 vende të punës janë humbur në vitin 2018, siç është raportuar në disa media. Bazuar në anketën tremujorshe të fuqisë punëtore të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (të publikuar më 19 mars, 2019), RER raporton një rënie të shkallës (vjetore) së papunësisë prej rreth 1 pikë përqindje. Kjo është numri i të papunësuarve si përqindje e fuqisë punëtore aktive totale. Në të njëjtën kohë, ka pasur një rënie të numrit të njerëzve që kanë marrë pjesë në tregun e punës. Bazuar në të dhënat nga anketa e njëjtë e fuqisë punëtore, RER komenton se krijimi i vendeve të punës neto në periudhën Korrik-Dhjetor 2018 ende nuk kishte kompensuar plotësisht humbjet e vendeve të punës neto në dy cerekët e parë të vitit. Kjo ka çuar në një rënie të vlerësuar të shkallës së punësimit (që është numri i të punësuarve si përqindje e popullsisë në moshë pune) prej 1 pikë përqindje në çerekun e katërt të vitit 2018 në krahasim me çerekun e njëjtë në 2017, një diferencë prej 7900 vendeve të punës, sipas anketës së fuqisë punëtore.
Ndryshe, sot gjatë ditës Qeveria e Kosovës ka reaguar ndaj raportit të Bankë Botërore, duke thënë ndër të tjera se ky institucion është ndikuar nga kreu i LDK-së Isa Mustafa.