Pas gjetjes së 31 shkeljeve në rastin e ekstradimit të gjashtë shtetasve turq nga Kosova, anëtarët e Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me ndriçimin e këtij rasti kanë kërkuar të merren masa ndaj presidentit Hashim Thaçi.
Ata theksojnë faktin se presidenti nuk kishte pranuar të raportojë para Komisionit megjithëse i ishin bërë tri ftesa, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Edhe njohësit e çështjeve të të drejtave të njeriut thonë se shteti i Kosovës gjatë dëbimit të shtetasve turq ka bërë shkelje të të drejtave të njeriut. Ndërsa përgjegjës për këto shkelje vlerësohet presidenti Hashim Thaçi dhe ministri i Punëve të Jashtme Behgjet Pacolli.
Anëtari i Komisionit Hetimor për rastin e dëbimit të gjashtë turqve, Sami Kurteshi, ka thënë se Prokuroria e Shtetit duhet të marrë masa ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe të kërkojë nga ai përgjegjësi në lidhje me këtë rast.