Një email të cilin udhëheqësja e Divizionit për njohje dhe barasvlerë të diplomave në NARIC Kosova, Kumrije Gagica, ia ka drejtuar ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, dhe disa zyrtarëve të tjerë të kësaj ministrie për shkeljet ligjore të disa kolegjeve private, i ka kushtuar kësaj zyrtareje me largim nga pozita e deritanishme.
Në emailin që e posedon gazeta, Gagica mëngjesin e së hënës e kishte njoftuar Bytyqin dhe të tjerë zyrtarë të lartë se disa kolegje nuk i kanë respektuar dispozitat ligjore duke mos dorëzuar kopjet e librave amëz në MASHT sipas afateve të përcaktuar me ligj, shkruan sot Koha Ditore.
Po ashtu, i kishte njoftuar edhe për shumë shkelje të tjera që i kanë bërë institucionet private të arsimit të lartë.
Shkresa i është dërguar ministrit Bytyqi, zëvendësministrit Arbër Geci, sekretarit të MASHT-it, Ekrem Kastrati, dhe shefit të kabinetit të ministrit, Baton Dushi.
Gagica i kishte paralajmëruar se tolerimi i veprimtarisë së këtyre kolegjeve në kundërshtim me dispozitat ligjore paraqet mospërfillje të plotë të dispozitave ligjore të dala nga legjislacioni primar dhe sekondar. Pak orë pas këtij emaili, asaj i është dërguar njoftimi se është emëruar ushtruese e detyrës së udhëheqëses së divizionit për menaxhimin e standardeve dhe sigurimin e cilësisë në arsimin e lartë në MASHT.