100 të rinj nga rajoni i Gjilanit kanë nënshkruar kontrata për praktikë me pagesë në kompanitë vendore.
Kjo është bërë me qëllimin që në të ardhmen të njëjtit të mbeten aktivë në punë dhe të ushtrojnë profesionin e tyre në agrobiznes dhe njëkohësisht edhe të krijojnë të ardhura për vete dhe familjet e tyre.
Pjesë e kësaj ceremonie ishin edhe kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri dhe shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova.
Kjo është bërë e mundur përmes mbështetjes së Bashkimit Europian dhe Komunës së Gjilanit të cilat si institucione kanë qenë në partneritet të plotë që ky projekt ka shënuar efektet pozitive me angazhimin e 100 të rinjve në punë.
Kryetari Lutfi Haziri ka falënderuar Komisionin Europian për mbështetjen e programit në aspektin financiar dhe ka thënë se këto kontrata për të rinjtë e këtij regjioni janë një lajm i gëzuar për të gjithë.
Sipas tij, me këtë po krijohet mundësia shumë e mirë për ushtrimin e profesionit të agrobiznesit dhe krijimin e të ardhurave njëkohësisht.
“Regjioni i Gjilanit është zonë agro-industriale, sikur që edhe e kaluara e afërt ka qenë e lidhur fuqishëm me agrobiznesin. Sektori privat me investimet që po bënë e ka kthyer fokusin në agrobiznes dhe sipas statistikave, në vitin 2018. Gjilani hyn në mesin e komunave me ambientin më të qëndrueshëm për zhvillimin lokal ekonomik, i bazuar në bujqësi. Përgatitja profesionale e të rinjve, pastaj trajnimet e shumta dhe puna praktike në sektorin e prodhimit, janë një bazë e fuqishme e zhvillimit ekonomik lokal”, ka thënë kryetari, Lutfi Haziri.
Nataliya Apostolova ka thënë se kjo fazë e projektit është pjesë shumë e veçantë për të dhe më e rëndësishmja deri më tani, sepse me këtë po bëhet një ndryshim i madh pozitiv, me përgatitjen e të rinjve në aspektin profesional.
“Me numrin e bizneseve që i kemi në Gjilan dhe në këtë regjion në përgjithësi, besojmë fuqishëm se numri i të punësuarve do të rritet, përkundër kërkesave të mëdha për vende pune, por së bashku me të gjithë akterët kjo do të bëhet realitet dhe do të kemi suksese bashkërisht”, ka thënë ajo.
Apostolova, gjithashtu, ka potencuar se Bashkimi Europian është duke investuar vazhdimisht në fusha të ndryshme në Kosovë dhe projekte me vlerë të lartë në regjionin e Gjilanit. Kjo për të krijuar së bashku mundësi më të mëdha për të rinjtë, punësim të tyre në sektorin privat, zhvillimin e sektorit të bujqësisë së bashku me të gjitha komunitetet që jetojnë në këtë pjesë.