Vendimi i Qeverisë së Kosovës për taksë 100 për qind ndaj produkteve me prejardhje nga Serbia e Bosnja, ka ulur dukshëm importin nga këto dy vende.
I njëjti vendim ka shkaktuar reagime të mëdha në Serbi dhe tek vetë zyrtarët e Bashkimit Evropian, shkruan lajmi.net.
Të njëjtit kërkuan që vendimi në fjalë të tërhiqet menjëherë prapa, dhe se taksa është në kundërshtim me marrëveshjen e CEFTA-s.
Mirëpo, edhe pas vendimit të Qeverisë Haradinaj, disa biznese kanë paguar taksën e vënë.
Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, për lajmi.net ka thënë se që nga vendosja e taksës, nga Serbia në Kosovë janë regjistruar 38 importe.
Ndërkaq, nga Bosnja janë shënuar 11 të tilla.
Stavileci thotë se importet kanë qenë kryesisht me lëndë të parë për prodhim dhe me vlera të ulëta, në total 140 mijë euro.
“Deri tani sipas informatave nga sistemi ynë, kemi pasur rreth 38 importe nga Serbia dhe 11 nga Bosnja”, ka thënë Stavileci.
“Kryesisht kanë qenë me lëndë të parë për prodhim me vlera te ulëta, pra vlere e tyre ka qenë në total rreth 140.000 mije euro derisa po aq kanë paguar edhe masë mbrojtëse si dhe TVSH-në”, është bërë e ditur nga Stavileci.
Në ndërkohë, Qeveria e Kosovës po tregohet stoike në vendimin e saj për taksën.
Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, gjatë vizitës së komisionerit për zgjerim të BE-së, Johannes Hahn në Prishtinë, ka thënë se vendimi për taksën do të qëndrojë dhe se i njëjti është legjitim.