Fjalë Kyçe

5 vjet burgim për nazistin 101-vjeçar

5 vjet burgim për nazistin 101-vjeçar

Një burrë 101-vjeçar është dënuar të martën nga një gjykatë gjermane me pesë vjet burgim, pas akuzave për ndihmë dhe nxitje në vrasjen e mijërave të burgosurve në kampin nazist të përqendrimit Sachsenhausen gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Përgjatë gjykimit, i cili ka nisur në muajin tetor të vitit të kaluar, ky burrë, i cili nuk është identifikuar, është deklaruar i pafajshëm, duke thënë se ka qenë punëtor ferme në verilindje të Gjermanisë gjatë asaj periudhe.

Megjithatë, gjykata ka thënë se është vërtetuar se ai ka punuar në kampin afër Berlinit në periudhën 1942-1945, si anëtar i nazistëve.

Prokurorët kanë bazuar rastin e tyre në dokumente të nazistëve që kanë pasur emrin, datën dhe vendin e lindjes së tij, si dhe dëshmi tjera.

Gjyqi është mbajtur afër vendbanimit të 101-vjeçarit.

Seancat gjyqësore janë mbajtur vetëm nga dy orë e gjysmë gjatë ditës, dhe disa herë janë ndërprerë për shkak të komplikimeve shëndetësore të të akuzuarit.

Më shumë se 200 mijë njerëz janë mbajtur në atë kamp në periudhën 1936-1945.

Dhjetëra mijëra të burgosur kanë vdekur si pasojë e urisë, sëmundjeve, punës së detyrueshme, apo ekperimenteve mjekësore.

Disa prej tyre kanë vdekur edhe nga të shtënat me armë zjarri, nga varjet apo dhomat me gaz.

Sikur edhe në kampet tjera, të burgosurit hebrenj janë trajtuar shumë keq dhe disa që kanë mbetur gjallë janë dërguar më 1942 në kampin Auschëitz.

Sachsenhausen është çliruar në prill të vitit 1945 nga forcat sovjetike, të cilat i kanë përdorur hapësirat e kampit si burgje për të burgosurit politikë dhe për persona tjerë të dënuar nga tribunalet ushtarake sovjetike./REL