Danimarka ka thënë të hënën se do të heqë vaksinën e kompanisë Johnson & Johnson nga fushata e saj e vaksinimit kundër koronavirusit, pas shqetësimeve për trashje gjaku.
Autoriteti Shëndetësor Danez ka thënë se Agjencia Evropiane e Ilaçeve “ka vërtetuar se ka lidhje të mundshme në mes të rasteve të rralla të trashjes së gjakut dhe vaksinës Johnson & Johnson”, transmeton agjencia e lajmeve AFP.
Mirëpo Agjencia Evropiane e Ilaçeve, ashtu sikurse Organizata Botërore e Shëndetësisë kanë rekomanduar përdorimin e kësaj vaksine, duke thënë se përfitimet i tejkalojnë rreziqet.
Zyrtarët shëndetësorë danezë kanë thënë se situata e favorshme epidemiologjike nënkupton se ky shtet mund t’ia dalë edhe pa vaksinën e kompanisë Johnson & Johnson, dhe do t’i përdorë vetëm ato të kompanive, Pfizer/BioNTech dhe Moderna.
“Autoriteti Shëndetësor i Danimarkës ka ardhur në përfundon se përfitimet e përdorimit të vaksinës kundër koronavirusit të kompanisë, Johnson & Johnson nuk tejkalojnë rreziqet e shkaktimit të efekteve të rënda, te personat që e marrin atë”, ka thënë ky institucion.
Autoritetet shëndetësore kanë thënë se situata me pandeminë në Danimarkë është nën kontroll dhe se “programi i vaksinimit është duke u zhvilluar kënaqshëm me vaksinat tjera”