Fjalë Kyçe

Militantët talibanë fillojnë të hyjnë në Kabul

Militantët talibanë fillojnë të hyjnë në Kabul

Militantët talibanë, që kanë marrë nën kontroll pjesë të mëdha të Afganistanit, të dielën kanë filluar të hyjnë në periferi të Kabulit, thanë zyrtarët, raporton DW.

Ndërkaq, Washington Post ka raportuar se talibanët kanë hyrë në qytet, duke rritur frikën se Qeveria afgane do të bie.

Kryeqyteti afgan, Kabuli është qyteti i fundit i madh që ende është nën kontrollin e forcave qeveritare.

Ofensiva në Kabul vjen në kohën kur forcat ndërkombëtare po përgatiten të evakuojnë diplomatët pas përkeqësimit të situatës së sigurisë.

Talibanët më 15 gusht morën pa luftë edhe qytetin Jalalabad, më pak se 24 orë pasi morën nën kontroll edhe qytetin Mazar-e Sharif.

Militantët postuan fotografi online teksa qëndruan brenda zyrës së guvernatorit të Jalalabadit, që është kryeqytet i provincës Nangarhar.

Abrarullah Murad, një ligjvënës nga provinca Nangarhar i tha agjencisë Associated Press se kryengritësit morën Jalalabadin pasi përfaqësuesit fisnor negociuan rënien e qeverisë në këtë qytet.

Humbja e Jalalabadit dhe Mazar-e Sharif është një goditje për presidentin, Ashraf Ghani, i cili iu adresua kombit më 14 gusht, duke u zotuar se nuk do të heqë dorë nga “arritjet” e 20 vjetëve të fundit, që prej pushtimit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, që hoqi nga pushteti talibanët pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit.

Talibanët kanë bërë përparim të shpejtë gjatë javëve të fundit, duke marr nën kontroll pjesë të mëdha të territorit teksa forcat e huaja, të udhëhequra nga SHBA-ja, po tërhiqen nga Afganistani.

Ofensiva e militantëve talibanë u përshpejtua javën e kaluar, duke tronditur qeveritë perëndimore teksa mbrojtja e ushtrisë afgane duket se kolapsoi. Shtetet e Bashkuara dhe Britania po dërgojnë trupa shtesë për të ndihmuar në evakuimin e qytetarëve të tyre dhe afganëve që kanë punuar me ta.

Talibanët, përmes një deklarate, thanë se marrja e shpejt e territorit tregon se populli afgan i pranojnë ata dhe risiguruan afganët dhe të huajt se ata do të jenë të sigurt.

Talibanët “gjithmonë do të mbrojnë jetën e tyre, pronën dhe nderin dhe do të krijojnë një ambient të sigurt dhe paqësor për këtë komb”, thanë talibanët, duke shtuar se diplomatët dhe punëtorët e ndihmës po ashtu nuk do të përballen me asnjë problem.

Pas avancimit të talibanëve, presidenti amerikan, Joe Biden më 14 gusht autorizoi dërgimin e 1.000 trupave të marinës. Ata do t’iu bashkohen edhe 3.000 trupave që u autorizuan edhe më herët, për të siguruar tërheqjen e personelit ushtarak amerikan. Këto trupa do t’iu bashkohen mbi 650 pjesëtarëve të personelit që veçse janë në Kabul, të cilët po kujdesen për sigurinë diplomatike.

Trupat amerikane arritën më 14 gusht për të mbrojtur dhe ndihmuar operacionin e evakuimit dhe po ashtu për të ndihmuar në mbajtjen nën kontroll të aeroportit.

Në njoftimin e Bidenit për dërgimin e trupave shtesë, po ashtu u tha se presidenti amerikan qëndron prapa vendimit të tij për të tërhequr trupat amerikane nga misioni në Afganistan.

“Gjatë 20 vjetëve të luftës sonë në Afganistan, Amerika ka dërguar burrat dhe gratë më të mirë, ka investuar pothuajse 1 trilion dollarë, ka trajnuar mbi 300.000 ushtarë dhe policë afganë, i ka pajisur ata me pajisjet më të mira ushtarake dhe ka mirëmbajtur forcat e saj ajrore si pjesë e luftës më të gjatë në historinë amerikane”, tha presidenti Biden. /rel