Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O’Connell ka thënë se Kosova nuk duhet të jetë vatër e krimit dhe korrupsionit.
Sipas tij, në Kosovë korrupsioni e sidomos ai i nivelit të lartë nuk është duke u luftuar, shkruan Gazeta Alo.
Ndërsa, ka pyetur se si është e mundur që ende nuk ka ndonjë të dënuar në Kosovë për korrupsion, të nivelit të lartë.
“Përgjegjësia bie tek ju prokurorë e gjyqtarë. Ligjet janë duke u përmirësuar në vazhdimësi, por nuk po zbatohen. Kosova nuk guxon të jetë vatër e krimit dhe korrupsionit. Është tejet e rrezikshme për juve, por edhe për neve. Dhe tani dua t’ju bëj një pyetje – edhe sa mendoni se do ta keni përkrahjen ndërkombëtare? Është momenti i fundit ta tregoni veten dhe t’i luftoni këto dukuri”, ka thënë ambasadori O’Connell.
Këto komente O’Connell, i bëri gjatë tryezës me temë “Pandëshkueshmëria e korrupsionit, rrezik për shoqërinë dhe shtetin – Zgjidhja: Integritet, transparencë, llogaridhënie?”, të organizuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi./Gazeta Alo/