Fjalë Kyçe

Aleksandër Moisiu, figura shqiptare-botërore që nuk ka moshë

Aleksandër Moisiu, figura shqiptare-botërore që nuk ka moshë

Kur mora në duar librin “Emblema” të autorit Isak Guta, i konceptuar që në vitet 1979-80 dhe botuar më 2016, gati pas dyzet viteve, mendja më shkoi larg, në vitet ’60 të shekullit të kaluar, kur në Normalen e Elbasanit studionim kryeveprën e të madhit Shekspir, tragjedinë “Hamleti”.

Ato vite mbetën të paharruara në kujtesë, sepse interpretimi në rolin e Hamletit nga aktori ynë Aleksandër Moisiu në ekranin e kinemasë “11 Nëntori” të qytetit ishte i mahnitshëm. Akoma në mendjen time djaloshare të asaj kohe jehon zëri i aktorit të madh me monologun e famshën hamletian: “Të rrosh, apo të mos rrosh”?! shkruan te “Shqiptarja” Hamdi Hysuka.

U rrita me librat dhe ende nuk pushoj së lexuari. Se, siç thotë adhuruesi i librit, Benedict Cumerbatch, aktor dhe producent anglez: “Leximi është një nga kënaqësitë më të mëdha. Nëse njëherë fillon të lexosh e ta duash librin, nuk do të ndalesh, sepse ke aq shumë histori për të lexuar.” Dhe vërtetë kështu ka ndodhur me mua edhe me shumë të tjerë.

* * *

Të shkruash për një artist të madh të kombit shqiptar, është meritë e madhe, e pashpërblyer, se Aleksandër Moisiun e nderoi Europa e fillim shekullit XX. Regjisori dhe studiuesi i mirënjohur, Isak Guta, tërë jetën ka shkruar e vazhdon të shkruajë për këtë artist me famë botërore dhe origjinë shqiptare. Është marrë dhe vazhdon të merret me figurën e Moisiut, me qëllimin madhorë për t’ia dhënë lexuesit siç ai është, ndër aktorët botërorë më elitarë të kohës së tij.

Mjafton të lexojmë e shfletojmë librin “Emblema”, për të vazhduar me serinë e botimeve të tjera, deri te “Moisiu dhe bëma e librit”, për t’u bindur se krijimtaria e autorit Isak Guta është me vlerë, e shkruar thjeshtë, me kulturë dhe profesionalizëm të pashoq. Vëmendje e posaçme i është kushtuar aktivitetit artistik të Moisiut nëpër turnetë teatrore të të gjitha kryeqyteteve të Evropës, që nga Vjena, Berlini, Moska e gjer në SHBA, Meksikë, Argjentinë etj, ku ai ka interpretuar në veprat e dramaturgëve më të mëdhenj të botës: Eskilit, Sofokliut, Shekspirit, Gëtes, Shilerit, L.Tolstoit, Molierit, Lesingut, Gogolit, Dostojevskit, Çehovit, Ibsenit, Strinbergut, Pirandelos, Bernard Shout etj. Vlerë e librit janë dhe veprimtaria e Moisiut regjisor, aktor filmi, dratmaturg etj. Por serisë së botimeve të Isak Gutës për Aleksandër Moisiun, i krahasuar vetëm me vetveten, i paraprinë tituj të tjerë. Nuk mund të ndodhte ndryshe, kur fisniku Guta mbeti nëpër arkiva e biblioteka të Austrisë, Gjermanisë, Francës etj, gjithnjë në kërkim të materialeve e vlerësimeve nga personalitete të shquara të teatrit e kulturës botrore për artistin shqiptar.

Libri i parë, i botuar e promovuar në Institutin Albanologjik të Prishtinës, titullohet “I madhi midis të mëdhenjve”, prill 2006. Pastaj mes librave me tematika të tjera, vazhdon deri me veprën e shtatë… Kështu, në mënyrë lineare, i palodhuri Isak Guta hartoi projektin “Rilindja e Moisiut”, më i madhi i deri tanishëm. Ai dhe vetëm ai e di fort mirë se ç’mund e sakrifica iu deshën për të mbërritur deri këtu. Pas një pune krijuese 40-vjeçare të tij është e pamundur që këtë projekt mos t’a quash madhor.

* * *

Përditë e më shumë publikohen libra, sidomos nga brezi i të moshuarëve. Por sado që janë shkruar e botuar për ikonën e kinematografisë europiane, vepra angazhuese “Moisiu dhe bëmat e librit” i autorit Isak Guta ka të veçantat e tij. Vetë titulli më ndihmoi të ec faqe pas faqeje e të jetoj me punën e shumtë të autorit. I identifikuar si “studiues moisian”, Guta thotë se nga pozita individuale bëri aq sa mundi… Kjo është e vërteta, si drita e diellit. Edhe pse me mbështetje minimale të institucioneve konkrete, udhëtimi i figurës së artistit famëmadh nuk ka të ndalur. Sepse, me kaq sa është bërë, përmes veprimtarive të shumta është dëshmuar se figura e Moisiut është gjallë, nuk ka moshë. Objektivi i autorit mbetet që ky udhëtim të vazhdojë në gjithë hapësirën me shumicë shqiptare në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni e Veriut.

Sipas studiuesve, më shumë se asnjëherë tjetër, sot kemi nevojë për promovimin e vlerave tona. Më konkretisht gjuha, kultura, tradita janë elementë etnikë të përbashkët të shqiptarëve, të cilët të tërëve na bashkojnë. Ruajtjen e pasurisë gjuhësore, kulturore dhe zakonore më të domosdoshme e ka diaspora. Se është vërtetuar që nëpërmjet veprimtarive të shumta janë ruajtur origjinaliteti dhe identiteti i artit kombëtar.

Figura legjendare e Moisiut është përfaqësuese e identitetit të kombit shqiptar me rrënjë qindravjeçare në djepin e kulturës europiane.

-Me forcën e botës shqiptare dhe ndërgjegjen e njeriut të madh botëror, -thekson e përsërit autori, -është dëshmuar shqiptari më i lavdëruar në Evropë e botë. Gjatë parakalimit njohës të jetës dhe veprës së këtij aktori të madh, s’mund të rri pa përmendur vlerësimet që i janë bërë Moisiut si “i jashtëzakonshëm profesionalisht, i jashtëzakonshëm dhe si njeri”.

-Përmes zërit të tij, -shkruan shkrimtari austriak Stefan Cvajg, -Moisiu hyri thellë në zemrat e të gjithë kombit gjerman. Ndërsa Franz Kafka, shkrimtar çek, thotë se “Moisiu është një artist, të cilit suksesi i del nga koka, nga goja i zërit të mrekullueshëm dhe nga sytë vështrimi që flet aq shumë”.

* * *

Vërtetë në Durrës është një ndërtesë muze dykatëshe, 200-vjeçare, në të cilën ka banuar familja e Aleksandër Moisiut, aktorit shqiptar me famë botërore. Dhe deti pranë është ai që ka qenë, por qyteti dhe njerëzit kanë ndryshuar. Jo rastësisht emri i këtij aktori të madh lidhet me teatrin dhe traditat e hershme të Durrësit e më gjërë. Rrugën e Aleksandër Moisiut të madh e kanë ndjekur shumë artistë tanë, menjëherë pas çlirimit të Shqipërisë nga nazifashizmi dhe më vonë edhe në Kosovë me Milehate Ajetin, Bekim Fehmiun e të tjerë në radhë…

Sipas vlerësimeve e botimeve të shumta shqip e në gjuhë të huaja, figura e Aleksandër Moisiut ka hedhur rrënjë në djepin e kulturës evropiane. Heroikisht, në zemër të Evropës, ai realizoi ngritjen e tij në figurë shqiptare, europiane e botërore.

Por… në vitet parajubilare të 140-vjetorit të lindjes, ndodhi të avancohet figura e Moisiut në art-arsim, në hapsirën universitare duke filluar nga Universiteti “Aleksandër Moisiu” në Durrës e deri tek ai “Kadri Zeka” në Gjilan… Por me gjithë thirrjet dhe trazimin e ideve, ende Projekti Vjetor ka ngelë me vepra në pritje të ralizimit në nivel të bashkive dhe nga Universitetet e njohura si: “Hasan Prishtina” në Kosovë, “Ukshin Hoti” në Prizren, “Isa Boletini” në Mitrovicë, në Tetovë, Tiranë, Vlorë, Gjirokastër, Shkup e gjetiu…

Kështu që udhëtimit të figurës, si të ishte gjallë Moisiu, doemos t’i dalë zot e t’i prijnë institucionet e mëmëdheut, këtej dhe andej kufirit. Ndërsa autorit dhe studiuesit moisian, Isak Guta, t’i dëshirojmë bëmë të librit dhe shëndet.

Në mbyllje të këtij shkrimi modest për librin “Moisiu dhe bëma e librit” uroj përzemërsisht autorin Isak Guta, si për këtë botim dhe të tjerët para tij, sidomos “Emblema” me 500 faqe dhe mbi 200 fotografi/Shqiptarja.

(Autori ësht kryetar i Klubit të Shkrimtarëve dhe Artistëve “Pjetër Budi” në Mat)