Fjalë Kyçe

Krasniqi: Këta që po i pengon taksa nuk qenë të zotët ta “trembin macen nga përsheshi”

Krasniqi: Këta që po i pengon taksa nuk qenë të zotët ta “trembin macen nga përsheshi”

Ish kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka kritikuar ashpër të gjithë faktorin politik në Kosovë që po e kundërshtojnë vendimin e Haradinajt për taksën.

Krasniqi, ka thënë se vendimi për taksën nuk është pengesë për vazhdimin e dialogut, duke shtuar se që nga viti 2011 e deri në vitin 2018 nuk ka pasur taksë por se gjatë kësaj kohe nuk është arritur asnjë marrëvshje mes të dyja vendeve, shkruan Gazeta Alo.

Krasniqi, ka deklaruar se nuk e habisin ndërkombëtarët, pasi siç ka thënë nuk janë prekur nga krimi e gjenocidi që ka shkaktuar Serbia në Kosovë, por ka thënë se e habisin këta tanët, që kurrë nuk qenë të zotet që ta “trembin macen nga përsheshi” dhe i pengon taksa.

Postimi i tij i plotë:

TAKSA 100% DHE LULET E XHENETIT

Të gjithë ata që Taksën 100% e shohin pengesë për gjëja një marrëveshje të pretenduar me Serbinë – “JANË NË LULE TË XHENETIT”!

Ju takon sidomos atyre që thirren në vlera demokratike, që të bëhen burra ose burrnesha e le të na tregojnë: Pse marrëveshja që kaq shumë po e dëshirojnë në mes Kosovës e Serbisë nuk e arritën para nëntorit të vitit 2018? Nuk ka dyshim, taksën e kanë si pretekst, po cilët ishin pretekstet para taksës?

Dëgjoni e lexoni, kuptohet nëse keni sy për të parë e veshë për të dëgjuar se çka na përrallisin disa herë brenda një dite çinovniket e lartë të Serbisë për Kosovën e shqiptarët? Kërcënimet që i bëjnë edhe tani janë po të njëjtës natyrë si ato të viteve të luftës kur ia patën vu zjarrin Kosovës! Pra, se çka mendojnë ata kriminel e kemi parë sidomos në vitet 1998 dhe 1999. Ketë askush nuk po e thotë! Nuk po shkojmë më larg në histori se bëhet tepër, por as sot nuk mendojnë ndryshe për shqiptarët e Kosovës. A e dinë ata në BE, pse ishte formuar Tribunali i Hagës për krimet në ish Jugosllavinë? Nëse kanë harruar, shqetësohem për ata që e kanë kujtesën e shkurtër! Në Kosovë ka shumë njerëz në politikë me kujtesë shkurtër. Besonim se në BE njerëzit mendojnë ndryshe!

Të gjithë e dinë se, Taksa nuk ishte aty nga viti 2011 e krejt deri në fund të vitit 2018 kur janë zhvilluar Bisedimet e Brukselit dhe nuk u arrit asnjë marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi!

Nuk me habisin shumë ata të jashtmit, pasi ata në fund të fundit nuk janë prekur nga krimi e gjenocidi që e jetuam në Kosovë, por me habisin këta tanët, që kurrë nuk qenë të zotet që ta “trembin macen nga përsheshi” dhe i pengon taksa! Bile po me vije goxha keq pse janë bërë kaq shumë këta të fundit! Madje fare pa u skuqur po defilojnë nga një ekran televiziv në tjetrin?!

Qyqarë, Bota gjithherë ka pasur, por edhe tash po vazhdon t’i ketë me bollëk!

Pa dyshim, njerëzit me integritet, dije e dinjitet gjithnjë e kudo kanë qenë në pakicë, si dje ashtu edhe sot nuk ka ndonjë ndryshim në substancë!

Ishte një kohë që ATA të paktet, që kishin integritet e vizion ndiqeshin nga shumica! Tani është koha e zhurmërisë se shumicës!

Prej atyre që jetonin e jetojnë në “lule të xhenetit” me zhurmëri, nuk e pres ditën e selametit!