Përkrahjen për liberalizim të vizave nga Parlamenti Evropian e ka përshëndetur edhe ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli.
Ai ka thënë se është koha që edhe institucionet tjera bashkëvendimmarrëse të Bashkimit Evropian, të respektojnë verdiktin e këtij tempulli të demokracisë evropiane, shkruan Gazeta Alo.
Përmes, një postimi në profilin e tij në Facebook, Pacolli ka thënë se lëvizja e lirë në Evropë është e drejtë themelore njerëzore.
Postimi i tij i plotë:
Përkrahje e lartë e Parlamentit Evropian për çështjen e liberalizimit të vizave. Është koha që edhe institucionet tjera bashkëvendimmarrëse të Bashkimit Evropian, të respektojnë verdiktin e këtij tempulli të demokracisë evropiane. Në fakt, përmbushja e kritereve nga ana e Republikës së Kosovës, ka qenë përkushtimi i ynë për tu bërë pjesë e një komuniteti më të madh demokratik, familjes së vendeve demokratike. Liberalizoni vizat, lëvizja e lirë në evropë, është e drejtë themelore njerëzore. Mos na ndalni rritjen demokratike të vendit tonë të ri, jepni fund një izolimi paradoksal!/Gazeta Alo/