Fjalë Kyçe

7 persona humbin jetën dhe mbi dhjetëra të plagosur nga një shpërthim në ndërtesë

7 persona humbin jetën dhe mbi dhjetëra të plagosur nga një shpërthim në ndërtesë

Të paktën 7 persona e kanë humbur jetën dhe më shumë se 20 të tjerë janë plagosur në zjarrin që shpërtheu në një ndërtesë në Dhaka të Bangladeshit.

Zjarri shpërtheu në katin e 19-të të “FR Tower” në lagjen Banani, ku ndodhen zyrat e kompanive të ndryshme.

Zjarrfikësi Muhammed Russel konfirmon se 19 njësi janë në terren dhe se kanë arritur ta vënë nën kontroll zjarrin. Mbështetje kanë ofruar gjithashtu edhe njësitë e marinës dhe forcat ajrore.

Ata gjithashtu shpëtuan edhe njerëzit që kishin hipur në çatinë e ndërtesës. Mediat lokale raportojnë se gjashtë persona u hodhën nga ndërtesa që ishte përfshirë nga flakët. Gjithashtu janë publikuar disa pamje ku njerëzit mund të shihen të bllokuar në katet më të larta duke kërkuar ndihmë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Kujtojmë se të paktën 81 persona humbën jetën dhe 41 të tjerë u plagosën në zjarrin që shpërtheu në lagjen e vjetër të Dhaka-s në shkurt. Zjarri shpërtheu në një ndërtesë në qendrën e vjetër të qytetit, gjegjësisht në qarkun Chawkbazar ndërsa stuhia e zjarrit u përhap shpejt në ndërtesat fqinje.

Kjo është një lagje ku ndërtesat janë të ndara nga rrugë të ngushta dhe në katet e poshtme kryesisht ka dyqane dhe magazina.