Koncerti më elitar në botë, ai i Vjenës, u mbajt sot më 1 janar si çdo vit në Sallën e Artë të “Musikverein Vjena”, i transmetuar direkt në 89 shtete, ndjekur nga afro 46 milion spektatorë.
Viti 2019 është njëherësh një vit përvjetor për Koncertin, që prej 1939-ës, ku ai u mbajt për herë të parë në kryeqytetin austriak. Porse, pakkush e di që ky eveniment brilant është organizuar dhe promovuar atëhere nga Partia Nacional Socialiste Gjermane e Hitlerit, bile për të mbledhur para për të blerë karburant për ushtrinë naziste.
Aktiviteti kish nisur të zhvillohej qëkur ishin gjallë muzikantët Shtraus, porse ai mund të konsiderohej thjesht një aktivitet lokal. Ishte Hitleri ai që mendoi ta kthente në një koncert gjigand me dëgjues në të gjithë vendet e Rajhut të Tretë. Aq e vërtetë është kjo, saqë para datës 1 janar, Koncerti organizohet fillimisht çdo vit më 30 dhjetor, me të ftuar vetëm ushtarakë dhe pjestarë të ushtrisë austriake.
Eventi i sotëm, ishte thuajse etnik vjenez. Me valse, mazurka, polka dhe instrumentale të 3 kompozitorëve Shtraus, por edhe të muzikantëve të tjerë të kësaj kryeqendre të kahershme të muzikës evropiane dhe botërore.
Ndër rastet e rralla kur në Koncert janë ftuar edhe të huaj, është edhe pjesmarrja e violinistit shqiptar të Kosovës, Shkëlzen Doli, në vitin 2015. Gjithashtu, në performancën e sotme ka qenë dhe Eno Peçi, pjesë e trupës së baletit vendase. /GazetaAlo