Shtëpia e Bardhë tha se presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, nuk do të zmbrapset nga propozimi i tij për ndërtimim e murit në kufi me Meksikën, edhe pse një gjë e tillë çoi në mbyllje të pjesshme të Qeverisë amerikane.
Trump refuzon të nënshkruajë buxhetin që nuk përfshin fonde për murin, ndërsa demokratët janë kundër.
Dhoma e Përfaqësuesve, e cila kontrollohet nga demokratët, ka miratuar një ligj për rihapjen e qeverisë, por Senati, me shumicë republikane, e ka refuzuar atë.
Rreth 800,000 punonjës federalë kanë mbetur pa paga qysh më 22 dhjetor.
Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, dhe udhëheqës të tjerë të Kongresit nga të dyja partitë i vazhduan negociatat me Trumpin të premten.
Udhëheqësi i republikanëve në Senat, Mitch McConnell, ka thënë se ata nuk do të mbështesin masa që nuk i mbështet presidenti Trump.
Gazeta Washington Post raportoi të premten se, pavarësisht mbylljes së pjesshme të qeverisë, sekretarët e kabinetit të presidentit, kryeadministratorët dhe nënpresidenti Mike Pence pritet të kenë rritje vjetore të pagës për 10,000 dollarë.