Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, gjatë një vizite në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, tha se kemi hyrë në një fazë intensive të zhvillimit të vendit
“Tani para vetes kemi një periudhë më të mirë të mundshme. Kemi lajme të mira. Gjithë legjislacioni, gjithë rregullativa, aktet nënligjore janë të gatshme edhe për të shkuar drejt shpalljes së investitorëve të parë strategjikë, diçka që e kemi pritur dy dekada që Kosova të fillojë e të zbatojë investime strategjike, marrëdhëniet me investitorë strategjikë”, kështu tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, pasi zhvilloi një vizitë pune, në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, njofton kumtesa.
Kryeministri Haradinaj, tha se së bashku me ministrin Endrit Shala dhe bashkëpunëtorët, biseduan për të gjitha zhvillimet që kanë pasuar në vitin e kaluar, por edhe objektivat që kanë për këtë vit.
“E falënderova për angazhim ministrin Shala dhe këtë Ministri, pra për një angazhim që vërtetë hetohet në përmbajtje. Gjithashtu u informova nga ministri se në dhjetë ditët e ardhshme mund të shpallet investitori i parë, dhe shpresoj që Kosova do ta merr këtë lajm sa më parë për një investitor strategjik”, shtoi kryeministri Haradinaj.
“Në takimin e sotëm, u bisedua për nxitjen dhe krijimin e një vlere të re, që në fokus të jetë zhvillimi i ekonomisë së vendit. Kryeministri Haradinaj sqaroi se janë 11 investitorë strategjikë në kualifikim e sipër dhe gati dy miliardë euro investime, shumica e tyre në energji, transport, turizëm. “Pra veçse kemi hyrë në një fazë intensive të zhvillimit të vendit”, theksoi kryeministri Haradinaj.
Po ashtu në njoftim thuhet se, ndër tjerash, kryeministri Haradinaj, tha se e uron Kosovën për faktin se po ndodhin investime strategjike dhe se nuk janë të gjitha investime të huaja, por ka edhe investime strategjike vendore.
Ministri Shala tha se e njoftoi kryeministrin Haradinaj për prioritetet e tij dhe të Ministrisë së Tregtisë e Industrisë që do t’i kenë gjatë tij viti, e po ashtu edhe për numrin e investitorëve strategjikë që kanë ardhur në MTI