Ish-kryetari i qytetit të shtatë të Shteteve të Bashkuara, San Antonios, dhe ish-ministri i Banimit nën presidencën e Barack Obamas, Julian Castro, i ka hyrë garës për president të Shteteve të Bashkuara.
Në një tubim të mbajtur në Teksas, 44-vjeçari hispanik ka shpallur kandidaturën e tij në radhët e demokratëve për ta sfiduar presidentin aktual republikan, Donald Trump.
“Kur gjyshja ime erdhi këtu para afro 100 vjetësh, jam i sigurt se kurrë nuk ka mundur ta merrte me mend se vetëm dy gjenerata më vonë, një prej nipërve të saj do të zgjidhej në Kongresin e Shteteve të Bashkuara dhe tjetri do të dilte sot para jush për t’i thënë këto fjalë: unë jam kandidat për presidencën e Shteteve të Bashkuara”, ka deklaruar Julian Castro, sipas AFP-së, para qindra përkrahësve të mbledhur në një shesh të San Antonios , në lagjen ku ai është rritur bashkë me vëllain binjak, anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve.
Sipas AFP-së, në këtë tubim, Castro ka kritikuar planet e presidentit Trump për ndërtimin e murit me Meksikën.