Qeveria franceze është e para që bën aktive planet e saj për menaxhimin e pasojave të një “Brexit”-i pa marrëveshje, që sipas kryeministrit të vendit Edouard Philippe është bërë tani skenari më i mundshëm.
“Hipoteza e një Brexit pa marrëveshje është më e mundshmja. Në këto kushte, është përgjegjësia e qeverisë të garantojë që vendi ynë të jetë i përgatitur dhe që interesat e qytetarëve tanë të jenë të mbrojtura. Ndaj, sot ministrat ranë dakord që të aktivizonim planin për një Brexit pa marrëveshje, apo Brexit të ashpër siç quhet ndonjëherë”, tha kryeministri francez Edouard Philippe.
Ashtu si edhe vendet e tjera të Europës, Franca e kishte gati planin për një “Brexit” të mundshëm pa marrëveshje.
Pavarësisht se Theresa May i mbijetoi mocionit të mosbesimit, presidenti francez la të kuptohet një ditë më parë se, ka pak mundësi që të bëhen ndryshime në marrëveshje, për të cilën kryeministrja britanike shpenzoi dy vite kohë në negociata me Brukselin.
“Ndoshta mund të përmirësohen një ose dy gjëra, por unë mendoj se ne kemi arritur maksimumin e asaj që mund të bënim me marrëveshjen”, tha ai.