Vetëm 30% e fëmijëve në vend regjistrohen në çerdhe. Sipas raportit të Komisionit Evropian, numri i vogël i çerdheve në Maqedoninë e Veriut është një nga arsyet kryesore që kjo përqindje nuk është më e lartë dhe e njëjta nuk ka ndryshuar për vite të tëra.
Në 58 komuna ekzistojnë vetëm 69 çerdhe, ndërsa numri i fëmijëve të regjistruar është 38 580. Si rezultat i kësaj, çerdhet ekzistuese janë të ngarkuara më shumë se kapaciteti që kanë.
Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Milla Carovska, thotë se si Qeveri synojnë që në të ardhmen edhe regjistrimi i fëmijëve në çerdhe të jetë i detyrueshëm. Por thotë se një gjë e tillë nuk mund të bëhet edhe një kohë pa siguruar kapacitet të mjaftueshëm për të gjithë.
“Në mënyrë plotësuese kemi siguruar mjete financiare nga Banka Botërore, 15 milion euro për ndërtimin e kapaciteteve më të mëdha që të mund të arrijmë standardin botërore prej 98% të regjistrimit të fëmijëve në çerdhe mes 4 dhe 6 vjeç, pra arsimin parashkollorë, ku shteti në mënyrë të dëtyrueshme do duhet të përfshijë të gjithë fëmijët, por që të bëhet e obligueshme, duhet pasur edhe infrastrukturë”, tha Milla Carovska, ministre për Punë dhe Politikë Sociale.
Ka edhe prindërit që si arsye përse fëmijët e tyre nuk i dërgojnë në çerdhe përmendin kushtet jo të mira në objekte. Ministrja Carovska apelon deri tek të njëjtit që kur të hasin në raste të tilla të ushtrojnë presion deri tek kryetarët e komunave, pasi komunat janë përgjegjëse për mirëmbajtjen e objekteve. Carovska gjithashtu thotë se çerdhet duhet të luajnë rolin e rëndësishëm që kanë për përgatitjen e fëmijëve me njohuritë bazë që duhet të kenë.
“Me të vërtetë kemi qëndrim se programet nuk janë adaptuar dhe nuk i mësojnë fëmijët në ato njohuri bazë që duhet të kenë si fëmijë. Dhe zhvillimi socio-emocional është harruar. Maqedonia është vendi i parë që i kushton rëndësi kësaj pjesë që tek parashkollorët”-pohoi Milla Carovska, ministre për Punë dhe Politikë Sociale.
Mungesa e objekteve vërehet më së shumti në vendbanimet rurale. Pak muaj më parë ankesa për mungesë të çerdhes kishin banorët e Haraçinës dhe Hasanbegut. Ministrja Carovska thotë se përzgjedhja e lokacioneve për ndërtimin e çerdheve bëhet në bazë të numrit të fëmijëve dhe shton se janë siguruar mjete për ndërtimin e 23 çerdheve, si në: Bërvenicë, Demir Kapi, Kumanovë, Gazi babë, Gjorçe Petrov, Vrapçisht, Sopisht e të tjera.