Policia e Birmanisë ka thënë se të paktën 14 njerëz, në mesin e të cilëve një polic, kanë vdekur pas shembjes së dheut në një minierë të gurëve të çmueshëm. Katër persona të tjerë janë shpallur të zhdukur dhe dyshohet se janë të vdekur.
Rajoni verior i Hpakantit goditet shpesh nga aksidentet vdekjeprurëse në miniera, pavarësisht zotimit të qeverisë për ta përmirësuar gjendjen e industrisë fitimprurëse të minierave.
Në prill të këtij viti, 55 punëtorë të minierave humbën jetën në një incident të ngjashëm. Për këtë arsye, autoritetet i kishin mbyllur 17 miniera për shkak të rrezikut dhe mungesës së sigurisë.
Komandanti i policisë së rajonit ku ndodhi fatkeqësia tha se deri tash i kanë nxjerrë 14 trupa të pajetë, ndërsa katër persona të tjerë, përfshirë dy policë, janë ende të zhdukur dhe dyshohet se nuk kanë arritur të mbijetojnë.
Qeveria e Birmanisë ka dhënë urdhër që të ndërpriten të gjitha aktivitetet në miniera gjatë periudhës maj-tetor, kur vendi përballet me sezonin e reshjeve të mëdha të shiut. Sidoqoftë, banorët kanë thënë se disa njerëz po hyjnë në miniera dhe po kërkojnë gurë të çmueshëm në mënyrë ilegale, shkruan “Reuters”.