Gjermania po shqyrton vendosjen e një kufiri shpejtësie prej 80 milje (rreth 130 kilometra) në orë në autostradën e famshme Autobahn – duke shkaktuar zemërim mes adhuruesve të makinave.
Rrjeti i vjetër i autostradave në vend është i famshëm për seksionet “pa limite” ku shoferët mund t’u japin makinave të tyre me gjithë shpejtësinë e mundshme.
Por një propozim i fundit, i hartuar nga një komitet qeveritar mbi të ardhmen e transportit, sugjeron se zyrtarët po planifikojnë një kufizim të përgjithshëm të shpejtësisë në rrugët e Gjermanisë.
I ngarkuar me paraqitjen e rekomandimeve për zvogëlimin e dëmit mjedisor të shkaktuar nga transporti, komiteti qeveritar propozoi gjithashtu rritjen e taksave të karburantit dhe kuotat e veturave elektrike për të ndihmuar Gjermaninë më në fund të përmbushë objektivat e emetimeve të BE.
Propozimet kanë ngjallur debate të ndryshme rreth ngasjes ‘së çmendur’ të makinave në Gjermani, një nga vendet e pakta në botë që nuk imponon kufizime të shpejtësisë në autostradat e saj të njohura si Autobahn.
Ministri i transportit, Andreas Scheuer, tashmë ka thënë se kjo është ‘kundër praktikave të shëndosha’.
Por legjislatori i njohur i Partisë së Gjelbër, Cem Ozdemir, e mbrojti propozimin këtë javë, duke e quajtur atë ‘një akt i arsyes’.
Ideja është se ligji i ri do të kufizonte shpejtësinë në autostradat e vendit deri në 130 km në orë. Përkrahësit thonë se kjo do të zvogëlojë ndotjen e ajrit, do të ndihmojë në luftën kundër ndryshimeve klimatike dhe në uljen e numrit të aksidenteve në automjete.
Zëdhënësi i kancelares Angela Merkel, Steffen Seibert u përpoq të zbuste valën e zemërimit të krijuar nga rrjedhja e raportit, duke thënë se një komitet i caktuar nga qeveria po shqyrton propozime të ndryshme dhe kjo nuk është përfunduar ende.
Gjermania mund të goditet me gjoba të rënda nga BE-ja nëse nuk arrin të reduktojë emetimet e gazrave serrë dhe oksidet helmuese të azotit.
Emetimet e transportit, të cilat nuk kanë rënë që nga viti 1990, janë një objektiv i veçantë për reduktimet eventuale.
Qeveria është midis dy zjarresh, në këtë rast midis nevojës për të mbrojtur industrinë aq domethënëse të makinave të Gjermanisë, të goditur nga një sërë skandalesh të kushtueshme të mashtrimit të emisioneve gjatë viteve të fundit dhe nevojës për të vepruar për të mbrojtur një klimë që po përkeqësohet me shpejtësi.
Gazeta thotë se masat që përfshijnë një limit të shpejtësisë së autostradës prej 130 kmh dhe rritjen e taksave të karburantit nga viti 2023, heqja e pushimeve tatimore për makinat me naftë dhe kuotat për shitjet e makinave elektrike dhe hibride mund të rezultojë me gjysmën e shkurtimeve të emisioneve të gazrave serrë që janë të nevojshme.
Platforma Kombëtare për Ardhmërinë e Lëvizshmërisë ende nuk ka përfunduar rekomandimet. Ajo duhet të raportojë gjetjet e saj në fund të marsit, e cila pastaj do të përfshihet në një ligj për ndryshimin e klimës që qeveria dëshiron ta miratojë këtë vit.
Por komiteti është i vetëdijshëm se shumë nga sugjerimet e saj mund të jenë të diskutueshme.
‘Jo çdo instrument dhe çdo masë do të pranohen,’ thuhet në draftin e siguruar nga gazeta. “Do të nevojitet aftësi politike, shkathësi diplomatike dhe gatishmëri për të bërë kompromis për të arritur qëllimet e ndryshimeve klimatike”.