Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se është skeptik për arritjen e një marrëveshjeje për sigurinë e kufijve, përpara se financimi i qeverisë të skadojë sërish muajin e ardhshëm.
Trump do 5.7 miliardë dollarë për ndërtimin e një muri në kufi me Meksikën, që do të pengonte hyrjen e migrantëve në SHBA, por Dhoma e Përfaqësuesve, e udhëhequr nga demokratët, refuzon.
Mosmarrëveshjet kanë çuar në mbylljen më të gjatë të Qeverisë amerikane në histori.
Trump, të premten e kaluar, iu nënshtrua presioneve në rritje dhe e rihapi qeverinë pas 35 ditësh.
Kongresi tani duhet të negociojë një projektligj të ri të financimit deri më 15 shkurt, për të shmangur një tjetër mbyllje të qeverisë.
I pyetur nëse do të pranonte më pak se 5.7 miliardë dollarë për ndërtimin e murit, Trump tha: “Dyshoj”.
“Duhet ta bëj ashtu siç duhet”, tha ai.
Një komitet ligjvënësish nga të dyja palët do të negociojë marrëveshjen, por Trump tha se shanset për arritjen e saj janë “më pak se 50 me 50”, raporton Wall Street Journal.