Janë bërë publike tabelat e koeficienteve të pagave të zyrtarëve të shtetit, të punëtorëve të sektorit publik dhe të shërbyesve civilë që paguhen nga buxheti i shtetit.
Këto tabela janë publikuar nga nënkryetarja e Komisionit për Administratë Publike, Qeverisë Lokale dhe Media të Kuvendit të Kosovës, Shqipe Pantina, shkruan Gazeta Alo.
Përmes një postimi në profilin e saj në Facebook, Pantina ka shkruar se kjo gjë është kërkuar nga shumë zyrtarë dhe qytetarë të vendit.
“Shumë qytetarë e zyrtarë publikë më kanë dërguar dhjetra pyetje për koeficientët për pozita të ndryshme. Më poshtë e gjeni tabelën me koeficiente”, ka shkruar Pantina.
Tabela e koeficientëve është pjesë e Projektligjit për Pagat, i cili është miratuar nga komisioni dhe është proceduar për miratim nga Kuvendi.
Një koeficient e ka vlerën e pagës më të ulët, 239 euro.
I pari në tabelë, sipas lartësisë së koeficientit, është Presidenti i Kosovës. Atij i është propozuar koeficienti 10, ndërsa në propozimin fillestar atij i ishte propozuar koeficienti 12. Sipas propozimit të miratuar nga komisioni, paga mujore e Presidentit do të jetë 2390 euro.
Kryeministri dhe Kryetari i Kuvendit do ta kenë koeficientin 9 ose 2151 euro në muaj.
Projektligji i propozuar nga kabineti qeveritar, më saktë tabela e koeficientëve sipas profileve dhe punëve që bëjnë, ka shkaktuar pakënaqësi të mëdha dhe reagime të ashpra te disa kategori të punëtorëve që paguhen nga buxheti i shtetit.
Ky projektligj i ka çuar në grevë të përgjithshme punëtorët e sistemit arsimor publik, kirurgët e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, punëtorët e administratës dhe shërbyesit civilë.
Organizatat sindikale të këtyre punëtorëve kërkojnë me ngulm ngritjen e koeficientit ose uljen e diferencës midis pagës më të ulët dhe pagave më të larta në vend.
Më poshtë po e japim tabelën e koeficientëve të pagave të zyrtarëve shtetërorë e të punëtorëve të shërbimeve publike, sipas Projektligjit për Pagat, i cili është proceduar për miratim në Kuvend: