Presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha se javën e ardhshme do të njoftojë datën dhe vendin e samitit të rradhës me udhëheqësin e Koresë së Veriore, Kim Jong Un.
“Ne do ta shpallim së shpejti, do të jetë fillimi i javës tjetër,” iu tha presidenti Trump gazetarëve, duke shtuar se Koreja e Veriut “me të vërtetë e dëshiron këtë takim”.
Presidenti Trump shtoi se ndoshta shumica e gazetarëve tashmë e dinë se ku do të jetë takimi, sepse nuk përfaqëson “ndonjë sekret të madh”.
Shtëpia e Bardhë ka lënë të kuptohet se një samit i ri, pas atij të 12 qershorit të vitit 2018 në Singapor, mund të jetë në fund të shkurtit. Tani për tani, Vietnami duket se do jetë nikoqir i takimit, edhe pse Tajlanda këtë javë ishte një nga opsionet e autoriteteve amerikane.
Trump dhe Kim në samitin e parë, folën për denekluarizimin e Koresë së Veriut, por negociatat e mëtejshme në lidhje me këtë çështje që nga ajo kohë janë zvarritur.