Guvernatori demokrat i shtetit amerikan të Virxhinias ka kërkuar falje për një fotografi raciste që është shfaqur në librin vjetor të shkollës së mjekësisë më 1984, në mes të thirrjeve për dorëheqjen e tij.
Guvernatori Ralph Northam tha se i vjen “thellësisht keq për vendimin që kam marrë për t’u shfaqur në këtë fotografi dhe për dhimbjen që ka shkaktuar ky vendim atëherë dhe tash”.
Fotografia, e cila fillimisht u publikua nga ueb-faqja konservatore Big League Politics, shfaqeshin dy persona, ku njëri kishte të ngjyrosur fytyrën me ngjyrë të zezë, ndërsa tjetri kishte të veshur robat e grupit Ku Klux Klan. Nuk ishte menjëherë e qartë se cili nga këta persona ishte Northam.
Zyrtarë të lartë demokratë në Virxhinia, por edhe senatorë demokratë kanë bërë thirrje që Northam të japë dorëheqje.
Megjithatë, në deklaratën për media, Northam ka lënë të kuptohet se ai dëshiron të vazhdojë punën e tij si guvernator, duke konfirmuar “angazhimin tim absolut për të punuar sipas pritjeve të qytetarëve të Virxhinias, që ata vendosën për mua, kur më zgjodhën që unë të bëhesha guvernator i tyre”.
Northam u zgjodh guvernator më 2017. Nëse ai jep dorëheqje, atëherë mandatin e guvernatorit do ta marrë Justin Fairfax, i cili më 2017, u bë afrikano-amerikani i dytë që fitoi post shtetëror në Virxhinia.