Fjalë Kyçe

Veseli: Kundërshtari i vetëm i yni është Serbia

Veseli: Kundërshtari i vetëm i yni është Serbia

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka folur në mbyllje të debatit për Projektligjin për Ekipin Dialogues.

Veseli, në fjalimin e tij ka kritikuar ashpër deputetët për gjuhën e përdorur ndaj njëri tjetrit, raporton lajmi.net.

Siç tha ai, kjo do ta dëmtojë vetëm shtetin e Kosovës.

“Rebelizmi ose ai virusi kur na rrok sherri ne mundohemi me e ba llom njëri tjetrin, kjo nuk do ta dëmtojë askënd tjetër përpos neve dhe vendin tonë. Ne sonte kemi një temë të debatit edhe dialogut”, tha ai.

“Që 9 muaj na ka marrë shumë energji. S’ka lanë njëri tjetrin pa e quajtë të ligë e tradhtarë. Ne duhet me marrë një vendim. Rrotacioni i pushteteve ka me ndodhë, por gjendjen në Kosovë nuk mund ta ndërrojmë përmes karrigeve. Ne këtë vit kremtojmë 20 vjetorin e çlirimit të vendit tonë”, u shpreh Veseli.

Veseli tha po ashtu se askush në Kosovë nuk ka dëshirë të takohet me presidentin e Serbisë, ngase siç tha ai, ka qenë zëdhënës i politikës së Millosheviqit.

“Kemi probleme kur agresioni i Serbisë është shumë demonstrues. Ka një situatë reale dhe qëndrim të Bashkësisë Ndërkombëtare, i cili është bukur i vendosur se nuk ka parti në Kosovë se nuk na kanë thënë se ju duhet me u fut në këtë proces. Nuk e besoj që ka njeri që ka aq qejf me u taku me zëdhënësin e politikës së Millosheviqit, Aleksander Vuçiqin”, tha ai.

Duke folur për pretendimet e opozitës se presidenti Thaçi po negocion për territore,  tha se presidenti i vendit ka qenë në fronte të luftës, dhe se pretendime të tilla janë të gabuara.

Në këtë kuadër Veseli foli edhe për Gjykatën Speciale.

“Kërkujt nuk ia nin për atë punë(Gjykatën Speciale). Prej ditës së parë kam qenë në UÇK dhe jam krenar për atë histori dhe i përgjigjem çdo sekondi të historisë dhe kështu i përgjigjet edhe presidenti i vendit. Po nesër të dal që jeni gabim? “, u shpreh Veseli.

“Mesazhi është ky, ska me mujt me dal askush nga kjo dhomë pa krenarinë e marren që e ka, por qytetari do ta ketë vendimarrjen, le të shkon kush të dojë në dialog e le të flet çka të don. Mos e frikësoni popullin se populli është më i mençur dhe më trim se ne”, tha Veseli.

Veseli tha se nuk e konsideron askënd kundërshtar përveç Serbisë dhe Aleksander Vuçiqit.

“Për politikë quani çka të doni, ne e kemi veç një kundërshtar e ajo është Serbia. Iu shiqoj kanihere, mundem mos me u pajtu me ju, por ju e përfaqësoni vullnetin e qytetarëve. Mirë nuk është, dhe borgj nuk e ka askush dikujt me ia fy veprimtarinë”, tha Veseli.

Pas përfundimit të debatit, pritet votimi i Projektligjit për Ekipin Dialogues.