Zyrtarët e Bashkimit Evropian të përfshirë në procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me kujdes po përcjellin zhvillimet në Prishtinë, por shpresojnë se presioni i shumëfishtë ndaj Qeverisë do të tregojë shumë shpejt rezultate në mënyrë që të mundësohet zhbllokimi i procesit të dialogut.
Burime nga kabineti i Përfaqësueses së Lartë, Federica Mogherini, kanë konfirmuar se në momentin e heqjes së tarifës ndaj mallrave serbe nga ana e Prishtinës, ata janë të gatshëm që “praktikisht të nesërmen” të vazhdojnë me procesin e bisedimeve. Në këtë drejtim, paralajmërohen bisedime intenzive ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit të cilat do të mund të mbahen çdo javë.
Zyrtarët evropianë e pranojnë se BE-ja nuk ka krijuar kurrë një “lidhje formale” ndërmjet tarifës dhe dialogut, por megjithatë ajo lidhje ekziston pasi pala serbe nuk ka mundësi të bindet për t’u kthyer në tryezën e bisedimeve derisa vendimi i Qeverisë së Kosovës për tarifën mbetet në fuqi.
Në anën tjetër, sipas këtyre zyrtarëve të BE-së, tarifa e vendosur nga autoritetet në Prishtinë është “kundërproduktive”.
Ata thonë se vendimi dymujor për tarifën e mallrave të importuara nga Serbia dhe Bosnja ka prekur edhe kompanitë evropiane që janë aktive në rajon.
Duke reflektuar mbi zhvillimet më të fundit në skenën politike të Kosovës, zyrtarët evropianë shpresojnë se presioni i përbashkët i Brukselit dhe Uashingtonit mbi Qeverinë e Kosovës do të tregojë rezultate.
Por, sipas tyre, mundësia e mbajtjes së zgjedhjeve në Kosovë, do të ishte për BE-në “skenari më i keq”.
“Zgjedhjet e reja nënkuptojnë një pengesë të re në dialog. Askush nuk e dëshiron këtë sepse jemi nën presion të madh të kohës”, tha një burim diplomatik për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë.
Në këtë drejtim, Prishtinës dhe Beogradit iu dërgohet porosi se nëse duan një zgjidhje, tani është koha për të, sepse “koha po afron”.
Ky paralajmërim ka të bëjë me faktin se institucionet e BE-së janë në vitin e zgjedhjeve dhe se aktualisht në zyrat kyçe janë ata politikanë që “sinqerisht duan të zgjidhin përfundimisht çështjen e Kosovës dhe Serbisë”.
“Nuk e dimë kurrë se çfarë do të jetë rezultati i zgjedhjeve evropiane dhe kush do të marrë përsipër funksionet që kanë të bëjnë me Ballkanin Perendimor. Ne nuk jemi të sigurt nëse përfaqësuesit e ardhshëm të BE-së, do të jenë kaq të përkushtuar sikurse janë komisionerët aktualë (Mogherini dhe Hahn)” tha një burim diplomatik.