Instituti Demokratik i Kosovës ka njoftuar se Ministria e Infrastrukturës dhe Bechtel & Enka, janë marr vesh që kësaj të fundit t’i zgjatet afati për 152 ditë për të përfunduar punimet në autostradën Prishtinë – Hani i Elezit, gjë që ja pamundëson Qeverisë së Kosovës të kërkoj penalti për moszbatim të kësaj kontrate me kohë.
Kjo është paraparë në aneks kontratën e nënshkruar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Bechtel & Enka, kopje e cila mban datën 5 shtator 2018, të cilën e ka siguruar KDI-ja.
“Aneks kontrata e protokolluar me numër 02/8457 dhe e nënshkruar nga palët përcakton detyrimet e Qeverisë së Kosovës për 53 milionë euro për Autostradën Prishtinë – Hani i Elezit (Autostrada Arben Xhaferi). Me këtë aneks kontratë, përveç 53 milionëshit, MI-ja është pajtuar që të zgjatet afati i implementimit të kontratës bazë deri më 1 qershor 2019, përkatësisht 152 ditë i jepen kohë shtesë Bechtel& Enkes për zbatimin e punëve për këtë autostradë”, thuhet në njoftimin e KDI-së.
Në anën tjetër ministria vazhdimisht, përmes prononcimeve në media të ministrit Pal Lekaj, ka deklaruar se janë duke shikuar mundësit për vënien e penaltive për vonesa të Bechtel & Enkas në kryerjen e punëve.
“Sipas kësaj aneks kontrate nuk është e qartë se si janë kalkuluar 53 milionë euro dhe se në çfarë baze është shtyrë afati për plus 152 ditë shtesë’, thuhet nw komunikatwn e KDI-së, shkruan Gazeta Alo.