Komandanti i Pentagonit, përgjegjës për forcat amerikane në Lindje të Mesme, Joseph Votel ka thënë se tërheqja e forcave amerikane nga Siria ka mundësi të fillojë brenda “javësh”.
Gjenerali Votel, ka thënë më 10 shkurt se koha e saktë varet nga situata në Siri, vend në të cilin gjenden rreth 2,000 trupa amerikane, të cilët në bashkëpunim me kurdët sirianë kanë luftuar militantët e grupit ekstremist, Shteti Islamik (IS).
Rreth tërheqjes së trupave amerikane ka pasur vazhdimisht deklarata kundërthënëse pasi në disa raportime është thënë se ky proces veçse ka filluar.
“Bartja e njerëzve është më e lehtë sesa bartja e pajisjeve, andaj ne jemi duke tentuar që të asgjësojmë këto materiale dhe pajisje që nuk na nevojiten”, është shprehur Votel.
Presidenti amerikan, Donald Trump ka befasuar ligjvënësit amerikanë dhe aleatët ndërkombëtarë në muajin dhjetor të vitit të kaluar, duke njoftuar se synon të tërheqë 2,000 trupa amerikane nga Siria.
Presidenti ka thënë se këta trupa nuk janë më të nevojshëm atje dhe se janë mposhtur militantët e IS-it.
Trump është kritikuar dhe republikanë, demokratë dhe disa zyrtarë të huaj, për atë që është cilësuar si veprim i ngutshëm sa i përket tërheqjes së trupave amerikane, teksa shumica kanë thënë se aleatët kurdë do të mbesin në mëshirën e Turqisë, dhe se e gjithë kjo situatë përbën fitore për Rusinë dhe Iranin.