Irani është duke shënuar 40-vjetorin e Revolucionit Islamik, që i ka dhënë fund monarkisë dhe është përcjellur me katër dekada të rregullit klerik.
Qindra mijëra persona pritet të marrin pjesë në organizimin qeveritar në Teheran dhe qytete tjerë për të shënuar 11 shkurtin e vitit 1979, kur mbështetësit e liderit suprem të Iranit, Ayatollah Ruhollah Khomeini kanë rrëzuar nga pushteti monarkun e përkrahur nga Shtetet e Bashkuara, Shah Reza Pahlavi.
Në kuadër të këtij organizimi, presidenti iranian, Hassan Rohani pritet të mbajë një fjalim, i përcjellur nga këngë nacionaliste.
Festimet për shënimin e këtij përvjetori kanë nisur më 1 shkurt, duke rikujtuar kështu ditën kur Khomeini është kthyer nga azili për t’u bërë lider i Iranit.
Festimet e këtij viti kanë ardhur në kohën e tensioneve në rritje mes Iranit dhe Shteteve ë Bashkuara, të cilat vitin e kaluar janë tërhequr nga pakti bërthamor që ka nënshkruar Teherani me fuqitë botërore, si dhe kanë kthyer sërish sanksionet ndaj këtij shteti.
Vendet tjera nënshkruese të paktit të vitit 2015 kanë tentuar të ruajnë marrëveshjen, e cila parasheh lirim të Teheranit nga sanksionet në këmbim të frenimit të aktivitetit bërthamor.
Para nisjes së festimeve, zyrtarët iranianë kanë njoftuar se mbi 50,000 persona të burgosur, ose të lirohen ose t’iu zvogëlohet dënimi.