Presidenti amerikan, Donald Trump do të nënshkruajë një projektligj mbi sigurinë kufitare, për të shmangur kështu mbylljen e mundshme e të përsëritur të qeverisë, sikurse pritet të deklarojë edhe gjendjen e emergjencës kombëtare për të siguruar kështu financimin e një prej premtimeve më madhore të fushatës, ndërtimit të murit në kufi me Meksikën.
Shtëpia e Bardhë njoftoi se ai pritet të nënshkruajë projektligjin siç e kishte premtuar, por do të ndërmarrë edhe hapa për të anashkaluar Kongresin dhe për të përdorur fondet ushtarake për murin kufitar SHBA-Meksikë.
Udhëheqësi i shumicës së Senatit, Mitch McConnell e njoftoi planin vetëm pak përpara se Dhoma e Përfaqësuesve të votojë për projektligjin e kompromisit. Megjithatë, projektligji duhet të miratohet fillimisht në Kongres, përpara se të nënshkruhet nga presidenti.
“Presidenti po arrin sërish të mbajë premtimin për ndërtimin e murit, për të mbrojtur kufijtë dhe për të siguruar vendin tonë”, tha sekretarja për shtypin në Shtëpinë e Bardhë, Sarah Sanders, në një deklaratë të kësaj të enjteje.
Ajo shtoi se ai do të “ndërmerrte veprimin ekzekutiv, përfshi emergjencën kombëtare, për të garantuar dhënien fund të krizës humanitare dhe atë të sigurisë kombëtare në kufi”.
Legjislacioni i kompromisit përfshin edhe fondin prej 1.3 miliardë dollarësh për financimin e sigurisë kufitare, përfshi barrierat fizike, por nuk kanalizon asnjë parà për murin e Trumpit.
Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi ka sugjeruar qysh më herët se do ta sfidojë ligjërisht në emër të demokratëve, nëse presidenti shpall gjendjen e emergjencës.
“Ne do të rishikojmë opsionet tona dhe do të përgatitemi për t’u kundërpërgjigjur para asaj situate. E di që republikanët kanë gjithashtu shqetësime në lidhje me këtë çështje”, tha ajo për reporterët.
“Nëse presidenti mundet të shpallë gjendjen e emergjencës për diçka që vet ai e ka krijuar si një “emergjencë”, një iluzion të cilin kërkon ta përçojë, atëhere mendojeni se çfarë presidenti me vlera të ndryshme po i prezantojmë popullit amerikan”, tha ajo.